'Raporti i progresit', Maqedonia pa kriter kushtëzues dhe pa datë për negociata

2015-08-21 1

Nuk ka kriter të ri kushtëzues për Maqedoninë, në raportin e ri të progresit. Duke qenë se Maqedonia ishte tashmë e vetëdijshme se nuk do të merrte datë, mund të konsiderohet fat që KE-ja është treguar zemërgjerë duke i dhënë të njëjtin vlerësim sikurse një vit më parë. "Paralelisht me negociatat, të zgjidhet edhe emri"-theksohet në raport. KE-ja theksoi serish Emrin por edhe krizën e brendshme, marrëveshjen politike të 1 marsit si dhe mediat, si çështje njolle për vendin drejt rrugës së integrimit. Megjithatë formulimi i saktë i rekomandimit për të cilin akoma po diskutohet në Komision, do të zbardhet nesër gjatë shpalosjes zyrtare së raportit të progresit, që do të lexohet nga vetë Komisioneri Evropian Shtefan Fyle. Në këtë prizëm, Brukseli do të theksojë gjithashtu se zgjidhja e çështjes së emrit është jetësore në procesin integrues të vendit. Përveç mungesës së gjetjes së një kompromisi me Greqinë, në kuadër të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, Brukseli do të konstatojë edhe mungesën e përmirësimit të marrëdhënieve të mira me Bullgarinë dhe mos firmosjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Nga ana tjetër zyrtarë të lartë të BE-së bënë të dituar se Brukseli është i gatshëm të ndërhyjë në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit, edhe pse bisedimet për këtë kontest po kryesohen nën patronazhin e OKB-së. Megjithatë, sipas Brukselit, për një gjë të tillë duhet të shprehin vullnet si Shkupi ashtu edhe Athina Zyrtare, sepse sipas BE-së, zgjidhja përfundimtare varet nga liderët në dy kryeqytetet. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian hodhi poshtë zërat rreth kushtëzimit të Maqedonisë për kriterin e ri të shumëpërfolur një javë më parë në Shkup.
"Kultura mediatike" nuk do të përfshihet në raportin e progresit të Komisionit si kriter, megjithëse Brukseli do të shprehë notë speciale shqetësuese rreth lirisë së shprehjes dhe mediave. Autoritetet e Komisionit Evropian theksuan se në raport do të theksohet edhe shqetësimi për ndërhyrjen e shtetit dhe partive politike në punën e mediave, si dhe nevojën për rikthimin e dialogut mes mediave dhe shoqatës së gazetarëve. Po ashtu, Maqedonia pritet të marrë kritika edhe për 'vonesën e pabesueshme' siç theksuan zyrtarët e lartë të Brukselit, në kapërcimin e krizës politike që erdhi si pasojë e ngjarjeve të 24 dhjetorit në parlament. Në raport pritet të theksohet se pjesa më e madhe e krizës politike është kapërcyer, por jo tërësisht. Maqedonisë do t'i kërkohet të përmbush plotësisht marrëveshjen politike të 1 marsit, ndërkohë që duhet të vazhdojë me këmbëngulje, përpjekjet për pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe stablitetin ekonomik. Nga Brukseli, për Alsat-M, Semra Jakupi

Free Traffic Exchange