Në komisionin parlamentar për financa dhe buxhet filloi debati për 57 amendamentet e PDSH-së për rishikimin e buxhetit. Sipas PDSH-së, nevojitet rishpërndarje e parave edhe atë nga Ministria e kulturës sepse pikërisht ajo Ministri, thonë nga PDSH-ja është bërë sinonim për diskriminim në baza etnike në realizimin e projektit Shkupi 2014.
"Ajo që është më katastrofë dhe më e keqe. Ato pak mjete që ndahen, për shembull për botuesit, ka vërejtje serioze nga botuesit, sepse edhe ato pak mjete ndahen në mënyrë selektive, njerëzve të pushtetit, njerëz të afërt me pushtetin dhe analistëve që mbrojnë këtë parti, konkretisht flas për BDI-në", tha Imer Aliu, PDSH.
Në LSDM thonë se projekti Shkupi 2014 nuk ka qenë vetëm projekt monoetnik, por edhe kriminal.
"Kur VMRO-DPMNE pa se për projektin Shkupi 2014 lëmshi filloi të shkatërrohet, vendosi me aksion policore dhe të prokurorisë ta marrë komunën Qendër duke shkelur vullnetin e qytetarëve, që raportet e revizorit për Shkupi 2014 të mos e shohin dritën e tyre", u shpreh Jani Makraduli, LSDM.
Për akuzat e këtilla të opozitës u përgjigj deputeti i BDI-së, Nexhati Jakupi sipas të cilit, opozita nuk ka të drejtë t'i kontestojë projektet e buxhetit për vitin 2013, pasi ato kanë marrë legjitimitet nga qytetarët në zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë vit.
"Në vitin 2013 u mbajtën zgjedhje lokale në të cilat, mes tjerash edhe ky buxhet i vitit 2013 por edhe buxhetet e tjera, u verifikuan nga votuesit, nga qytetarët e Maqedonisë. Këto programe, këta projekte, pothuajse me shumicë plebishitare morrën legjitimitetin e qytetarëve", deklaroi Nexhati Jakupi, BDI.
Për rishikimin e buxhetit të vitit 2013, amendamente dorëzoi vetëm PDSH-ja. LSDM-ja nuk do dorëzojë asnjë kërkesë për buxhetin e arkës shtetërore të cilën, sipas tyre, shumica parlamentare e miratoi në mënyrë jolegjitime. Natasha Stojanovska