A1 Report-Shkollat në Gjirokastër e Sarandë probleme me infrastrukturën

2015-08-21 4

Ndonëse procesi mësimor ka nisur prej një muaji në të gjithë vendin, shumë shkolla në vend nuk ofrojnë kushte aspak të përshtatshme për mësim. Shkolla 9-vjecare Adem Sheme në Sarandë, e cila ngjan me një objekt të braktisur si pasojë e amortizmit të saj, por në fakt është krejt e kundërta.

Këtu zhvillojnë mësimin qindra nxënës të qytetit të Sarandës, edhe pse muret e klasave janë të plasaritura dhe lagështira dominon në cdo cep të godinës.

"Kjo situatë në shkollë ka qenë që vitin e kaluar. Ne i kemi edhe kërkesa të vazhdueshme bashkisë për të bërë rregullimin e shkollës", deklaron mësuesja e shkollës 'Adem Sheme', Katerina Jovani.

Edhe drejtoresha e shkollës thotë se shqetësimi i tyre është përcjellë tek autoritetet përkatëse, por sërish nuk janë marrë masa.

Ndërkohë në Gjirokastër një tjetër problem shqetëson nxënësit dhe mësuesit e shkollave. Mbipopullimi në klasa ka krijuar një anomali në zhvillimin e procesit mësimorë në 5 shkolla 9-vjecare të qytetit. Kjo situatë justifikohet edhe më kthimin e emigrantëve shqiptarë nga Greqia, si pasojë e krizës që ka përfshirë shtetin fqinj.

"Kemi prurje në klasat e para, numri i tyre është deri në 27 që ne nuk e kemi parashikuar ndonjëherë", thotë Juliana Lamaj, mësuese në një shkollë9-vjeçare.