Me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në Institucionet shtetërore nuk është i kënaqur as zv/kryeministri për implementimin e MO-së Musa Xhaferi. Ai madje thotë se është e pamundur që të ndalohen punësimet e qytetarëve maqedonas me qëllim që të rritet përfaqësimi i shqiptarëve, pasi kjo sipas tij,do të shkaktonte çrregullime dhe mungesë kuadrosh në pjesët ku shqiptarët nuk pranojnë të punësohen.
'Në fakt nuk është i kënaqshëm, pritjet janë se duhet të ketë një përfaqësim matematikor, 25-26 për qind apo varësisht nga aksioni i regjistrimit se sa do të jenë. Kjo është një betejë shumë e ndjeshme pasi nuk mund të stopojmë punësimin e të tjerëve për arsye se atëherë do të kemi edhe një çrregullim dhe një mungesë kuadrosh p.sh kur të pensionohet dikush i cili punon në njësitë rajonale, në Shtip, Strumicë, Kavadar, në Manastir dhe ne me automatizëm nuk mund ta kompensojmë me shqiptarë. Duhet ti kemi parasysh të gjitha këto parakushte', tha Musa Xhaferri, zv/kryeministër.
Xhaferi tha se në konkursin e fundit për punësimin e 1600 qytetarëve në 'Pyjet e Maqedonisë' janë tejkaluar barrierat pasi janë pranuar qytetarë nga të gjitha bashkësitë etnike.
'Që të jemi më korrekt, punësimet që u bënë për kategoritë sociale dhe për ata të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të kenë shkollim të mëtutjeshëm, përveç 8 vite shkollë, me shkolla të mesme, ata të cilët edhe për nga mosha nuk mund ta kapin hapin, u respektua me rigorozitet aspekti social, u punësuan mbi 25 për qind shqiptarë dhe aty u punësuan edhe nga pakicat tjera më të vogla', deklaroi Musa Xhaferri, zv/kryeministër.
Për dallim nga Xhaferi, analistët vlerësojnë se punësimi i 1600 qytetarëve në administratë shtetërore dhe konkursi i fundit për punësimin e 400 policëve të rinj, është strategji e gabuar e Qeverisë. Kjo pasi në këtë mënyrë, sipas ekspertëve, pamundësohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në administratë. Gjatë këtyre punësimeve, 25% e vendeve të punës janë të garantuara për shqiptarët. Por, për shkak të përfaqësimit tejet të ulët aktual, pjesëmarrja me 25% në çdo punësim është e pamjaftueshme për të arritur kuotën e garantuar me kushtetutë. Sipas analizave matematikore, për t'u arritur përfaqësimi i shqiptarëve me 25% në administratë, duhet që në periudhën e ardhshme të punësohen mbi 10 mijë shqiptarë dhe asnjë maqedonas! Valmir Kuçi