Qyteti i Shkupit do të diskutoj për mosrespektimin e gjuhës shqipe

2015-08-21 0

Me kërkesë të këshilltarëve të PDSH-së, qyteti i Shkupit të premten pritet të diskutojë për gjuhën shqipe dhe shkarkimin e drejtorit të NTP-së Misho Nikollov, lidhur me mos zbatimin e gjuhës shqipe në ndërmarrjen e tij. Kërkesën e tyre për të diskutuar për këtë çështje këshilltarët e PDSH-së e mbështesin në ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në këtë kërkesë thuhet:

"Sipas ligjit për përdorim të gjuhëve ndërmarrjet publike të themeluara nga qyteti i Shkupit janë të detyruar në të gjitha segmentet e punës së tyre ta zbatojnë të njëjtin. Për këtë qëllim PDSH tregon se NPT Shkup akoma nuk e zbaton ligjin në mënyrë konsekuente edhe përkundër konkluzave të miratuara nga këshilli i Shkupit. Propozojmë informata të shqyrtohet si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës të këshillit të Shkupit dhe propozoj që të miratohet ky përfundim: 'Këshilli i qytetit të Shkupit obligon kryetarin e qytetit të Shkupit Koce Trajanovski ta shkarkojë drejtorin e NPT Shkup Misho Nikollov, ta dënoj me të holla dhe t'i informoj institucionet kompetente për mosrespektimin e obligimeve ligjore në përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Shkupit'

Por nga kjo ndërmarrje këmbëngulin se ata zbatojnë dygjuhësinë. Kjo madje është theksuar në përgjigjen e dhënë nga NPT Shkup një javë pasi ishte bërë kërkesa për diskutim në këshillin e Shkupit, gjegjësisht më 30 shtator.

"Menaxhmenti i NPT Shkup me vëmendje shqyrtoi iniciativën e koordinatorit të grupit të këshilltarëve të PDSH, Idriz Orana dhe vlerëson se, NPT Shkup po realizon obligim e saj ligjor gjegjësisht respekton ligjin për përdorim të gjuhëve që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni edhe në njësit e vetëqeverisjes lokale. Me ndryshimet në softuer u tejkalua problemi me tabelat elektronike informuese të autobusëve".

Edhe përkundër pohimeve të kësaj ndërmarrje se dygjuhësia zbatohet dhe respektohet në të gjitha segmentet, kjo nuk është rast edhe me ueb faqen e kësaj ndërmarrje. Vetëm faqja hyrëse është në gjuhën shqipe ndërsa të gjitha informacionet tjera në rubrikat e ndryshme akoma janë në gjuhën maqedonase. Kujtojmë se drejtori i Ndërmarrjes së Transportit Publik Misho Nikollov nuk përfilli as kërkesat e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit për zbatimin e dygjuhësisë. Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, drejtori i NTP-së, Misho Nikollov mund të ndiqet penalisht për shkeljen e ligjit të përdorimit të gjuhëve dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg, bazuar në nenin 138 të Kodit Penal. Gjyltene Rexhallari

Free Traffic Exchange