Nuk zbulohet identiteti i viktimës së djegur

2015-08-21 6

Vazhdon të mbetet enigmë identiteti i trupit të pajetë, i shkrumbuar 3 ditë më parë në hotelin "Granit" në Kodrën e Diellit. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dalë me të dhëna zyrtare se për kë bëhet fjalë. Edhe nga Ministria e Brendshme thonë se është ende herët të flitet për identitetin e personit të djegur në zjarrin që ra në hotel.

'Për momentin nuk kam informata. Nga ajo që jam informuar, në vend-ngjarje për ekspertizë ka marrë pjesë edhe Gjykatësi Përgjegjës Hetues dhe Prokurori Publik i Tetovës, të cilët udhëhoqën ekspertizën. Me urdhër të Gjykatësit Hetues, kufoma e djegur është dorëzuar për ekspertizë dhe për identifikim, kështu që, besoj se ekspertët e Mjekësisë Ligjore në momentin kur do të përfundojnë gjithë procedurat, do të informojnë gjykatësin hetues dhe unë do t'ju sugjeroja që t'i drejtoheni atij që këtej e tutje', u shpreh Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Televizioni ALSAT M tentoi të kontaktonte sot me gjykatësin hetues, por ai refuzoi të jepte çfarëdo të dhënash mbi rastin, për aq kohë sa ai nuk zbardhet. Ndërkohë, portalet e ndryshme në internet thonë se celulari që është gjetur në shkallët e hotelit 'Granit' në Kodrën e Diellit i përkiste 50 vjeçarit Ruhi Bakiu nga Reçica e Tetovës. Bakiu ka qenë anëtar i Komisionit Rregullator për Energjetikë. Ruhi Bakiu, disa herë pati denoncuar presione dhe tentativa për atentate ndaj tij. Në shkurt të këtij viti ai pohoi se kishte qenë rrëmbyer nga persona të panjohur, ndërsa në mars pësoi një aksident të rëndë rrugor, për të cilin pretendonte si ishte nxjerrë qëllimisht nga rruga. Bakiu njihet në opinion edhe për reagimet e tij kritike ndaj punës së KRRE-së, mbi shtrenjtimin e karburanteve, metodologjinë përcaktuese të saj, si dhe rregulloren lidhur me ngrohjes qendrore. Valmir Kuçi