Flasin pronarët e tokës: Pa kullat nuk ka as xhami të Namazgjasë

2015-08-21 9

TIRANE- Dy ditë pasi kryeministri i vendit Edi Rama, anulloi lejen e paraardhësit të tij, për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë që përfshin xhaminë dhe një qendër tregtare, dalin në dritë detaje që tregojnë për një marrëveshje të pastër biznesi mes KMSH dhe pronarëve, sipas të cilës nuk ka xhami pa ndërtuar edhe pronarët.

Projekti për ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës, pas anullimit të vendimit nga KKT-së, për pezullimin e objektit 8-katësh në këtë zonë, duket se nuk do të mund të realizohet. Alban Bala, nipi dhe përfaqësues i familjes së Jusuf Krujës, që i ka dhënë Komunitetit Mysliman 2030 metra katrorë tokë për ndërtimin e Xhamisë së madhe, në një intervistë për "Shqiptarja.com", shprehet se nëse nuk do të ndërtohet objekti i tyre i biznesit, atëherë Komuniteti Mysliman nuk ka punë në pronën e tyre, pasi marrëveshja noteriale që kanë nënshkruar palët ka qenë shumë e qartë për marrëdhënien e vendosur. Ai thotë se ndihet i zhgënjyer edhe nga KMSH, e cila ka nxituar të përgëzojë vendimin e Ramës, që në të vërtetë i ndalon ndërtimin e xhamisë.