TIRANË - Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka marrë detyrën zyrtarisht mëngjesin e sotëm. Në një ceremoni të bërë në oborrin e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka prezantuar drejtorin e ri të policisë, në prani edhe të ish-drejtorit, Hysni Burgaj.
Në këtë ceremoni që ka nisur në orën 9.30 minuta dhe nuk ka zgjatur shumë, të pranishëm ishin edhe 12 drejtorët e rinj të policive të qarqeve të cilët kanë marrë detyrën zyrtarisht gjatë ditës së sotme. Në fillim, është dëgjuar himni dhe më pas fjalën e ka marrë ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri, tha se, "nuk mund ta fsheh emocionin e kësaj ceremonie për emërimin e drejtorit të ri Policisë së Shtetit, Artan Didi". Tahiri nuk ka lënë pa kujtuar dhe falenderuar edhe ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit deri ditën e djeshme. "Dua të falenderoj ata që deri dje kanë mbajtur poste të larta në Policinë e Shtetit".
Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Artan Didi nuk ka mbajtur fjalim me këtë rast, por vetëm ka bërë betimin në detyrën e tij.
"Në këtë çast solemn, në respekt për të gjithë brezat e policisë shqiptare dhe në emër të atyre që kanë rënë në krye të detyrë dhe për të garantuar ligjin dhe në emrin tim personal, betohem se do të mbaj me përgjegjësi detyrën në krye të Policisë së Shtetit, Betohem!", tha drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Artan Didi.