Rama i rrit rrogën mujore Nishanit shkurtohen 930 punonjës buxhetorë

2015-08-21 0

TIRANE- Këshilli i Ministrave ka zgjedhur rrugën e Aktit Normativ për të miratuar me urgjencë ndryshimin e shifrave kryesore të buxhetit të shtetit. Deficiti buxhetor do të dyfishohet, me shpenzime në rritje, edhe pse me të ardhura në ulje të ndjeshme

Buxheti i shtetit do të ndryshojë urgjentisht. Për këtë, qeveria zgjodhi rrugën e miratimit të një Akti Normativ, që ka fuqinë e ligjit, por duhet të miratohet domosdoshmërisht nga ana e Kuvendit brenda tre muajsh. Në këtë Akt, Këshilli i ri i Ministrave tregohet "bujar" me presidentin e Republikës Bujar Nishani, të cilit ja rrit me 2 mijë lekë të reja pagën, nga 255 mijë, në 257 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, do të bëhen shkurtime të personelit buxhetor, në masën 930 vetë.

Sipas Aktit, të ardhurat, që ishin parashikuar nga Ekzekutivi berisha në masën 355.8 miliardë lekë, do të kalojnë në afro 322 miliardë, me ulje gati 10 për qind, nisur nga performanca shumë e dobët e Tatimeve dhe Doganave gjatë vitit. Sa u përket shpenzimeve, pavarësisht nga ulja e ndjeshme e të ardhurave, ato kalojnë nga 396.9 miliardë, në 405.4 miliardë lekë, me një rritje të lehtë në masën 2 për qind.
Në këto kushte, sikurse është parathënë ditët e fundit, deficiti buxhetor do të dyfishohet, duke kaluar nga afro 41 miliardë lekë, që parashikohej në ligjin fillestar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2013, në më se 83.5 miliardë lekë ose rreth 600 milionë euro.
Me shkurtime rezultojnë fondet në favor të pushtetit vendor apo sigurimet shëndetësore, ndërkohë që fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore ka rritje.