46 Institucione shtetërore pengojnë punën e Avokatit të Popullit në ndjekjen dhe vlerësimin e zbatimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në administratë dhe institucione publike. Këto institucione, të udhëhequra kryesisht nga kuadro maqedonas, nuk kanë dorëzuar të dhëna tek Avokati i Popullit, lidhur me përfaqësimin e drejtë. Mes tyre janë edhe SHA për Ekonomizimin e Hapësirave Afariste në pronësi të shtetit, Komuna e Kavadarcit dhe institucione të tjera shtetërore. Kjo do të thotë se përqindja reale e shqiptarëve në administratën publike dhe institucione shtetërore është edhe më e vogël se 17,8 përqindëshi i përllogaritur për vitin 2012.
"Vitin e kaluar patëm edhe kritikë publike ndaj disa institucioneve të cilat penguan punën e Avokatit të Popullit, dhe nuk dërguan të dhëna. Kështu që në evidencën e Avokatit të Popullit sa u përket institucioneve publike ne kemi të evidentuar 1101 institucion, nga të cilët kërkojmë të dhëna, dhe në vitin e kaluar morrëm informata nga 1055. Praktikisht 46 nuk i mundësuan Avokatit të Popullit të përgatit pasqyrë edhe më reale nga kjo që është tani", tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
Avokati i Popullit Memeti shpjegon se strategjia aktuale e qeverisë në punësime, duke siguruar kuotën prej 25% nga çdo konkurs për shqiptarët, ngadalëson shumë procesin e arritjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
"Procesi ec, nuk mund të themi se nuk ec, por ka vështirësi, ec ngadalë. Ka mundësi dhe kapacitet që ky proces me precizimin dhe forcimin e normave ligjore dhe me ngritjen e mekanizmave kontrolluese të ecë në mënyrë më të shpejtë", u shpreh Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
Këtë e tregojnë edhe shifrat, pasi për 3 vjet, përqindja e shqiptarëve është rritur për vetëm 0,9 %. Me këtë rritëm rritjeje, shqiptarët do të arrijnë përfaqësimin e drejtë prej 25 % në administratë, vetëm pas 25 vitesh të tjera, apo në vitin 2038. Ndër sferat ku shqiptarët janë më pak të përfaqësuar janë shëndeti publik, prokuroritë, gjykatat, ndërmarrjet publike dhe institucionet kulturore. Në mbi 600 institucione shtetërore nuk ka të punësuar asnjë shqiptarë, ndërsa në 30 të tillë, nuk ka asnjë maqedonas. Benjamin Arifi