Sahit Dollapi jep dorëheqjen nga kreu i CEZ, ERE e pranon

2015-08-21 1

Sahit Dollapi jep dorëheqjen nga posti i drejtorit të CEZ shpërndarje. Dorëheqja u deklarua sot paradite para Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, ku Dollapi paraqiti analizën 10- mujore të punës së kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Disa orë më pas, në orën 13:30, ERE u mblodh dhe pranoi dorëheqjen e Dollapit dhe hapi procedurat për zgjedhjen e administratorit të ri.

"Në vetëm 9 muaj u provua se ka menaxhim të ndershëm, profesional dhe të përkushtuar. Kompania CEZ Shpërndarje jo vetëm u ringrit, por situata financiare e kompanisë po konsolidohet çdo ditë. Këta 9 muaj të administrimit të përkohshëm provuan gjithashtu se ky do të kishte qenë privatizimi më i suksesshëm, nëse ndershmëria dhe profesionalizmi, përkushtimi do të ishin kritere të drejtuesve të mëparshëm të kësaj komanie. Pas 9 muaj të administrimit të përkohshëm qeveria ka vendosur t'i japë fund kësaj periudhe tranzitore me kërkesë të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike për nisjen e proceduarve të shtetëzimit të kompanisë. Si një njohës me eksperiencë i sistemit energjetik dhe duke i qëndruar besnik bindjes time se zgjidhja përfundimtare në këtë sistem është privatizimi dhe liberalizmi i tregut unë kam vendosur ti paraqes ERE dorëheqjen time nga detyra e administratorit të kompanisë CEZ Shpërndarje" - tha Dollapi duke shtuar se "Do të qëndroj në këtë post deri sa të bëhet emërimi i një drejtori të ri, apo një zgjidhje që do të jepet nga qeveria"