Lista zgjedhore, anëtarët e VMRO-së distancohen nga Kondarko

2015-08-21 1

Kanë vazhduar përplasjet mes VMRO-DPMNE dhe LSDM brenda KSHZ-së për pastrimin e listës zgjedhore. Tre anëtarët nga radhët e VMRO-DPMNE, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkoski dhe Sasho Srce janë distancuar nga një pjesë e kumtesës së djeshme të lëshuar nga KSHZ-ja. Këto konstatime sipas tyre pasqyrojnë qëndrimin personal të kreut të këtij organi zgjedhor Boris Kondarko dhe se për to, nuk janë konsultuar fare. Sipas tyre akuzat e tilla të Kondarkos dhe të LSDM-së janë tendencioze dhe jo korrekte, dhe bëhen me të vetmin qëllim që opinioni të krijojë përshtypje të gabuar për punën e institucioneve.

"Ne, në asnjë moment, nuk kemi penguar punën e KSHZ-së si organ kompetent për udhëheqjen dhe azhurnimin e listës zgjedhore. Po ashtu, është fakt se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 2013-ës e deri më sot, Boris Kondarko si kryetar i KSHZ-së i cili ka kompetencë ligjore që t'i caktoj dhe kryesojë seancat, nuk ka caktuar seancë apo takim pune në të cilin do të diskutohej për listën zgjedhore. Kompetenca për udhëheqjen e listës zgjedhore është kompetencë vetëm e KSHZ-së e përcaktuar me kodin zgjedhor që nënkupton se KSHZ-ja ka rol udhëheqës në atë proces permanent", tha Vllatko Sajkoski, anëtar i KSHZ.

Ka reaguar sërish kreu i KSHZ-së Boris Kondarko duke theksuar se nuk ka akuzuar askënd për pengim të pastrimit të listës zgjedhore dhe se reagimi i djeshëm ka qenë në emër të tij personal, e jo në emër të KSHZ-së.

"Nuk kam thënë se dikush pengon punën, siç theksojnë disa koleg të mi, por kam theksuar se edhe sikur të dua, nuk kam mundësi të pengoj punën, pasi anëtarët e pushtetit në KSHZ kanë shumicën dhe në një organ kolektiv siç është KSHZ-ja, mund të iniciojnë thirrje seance, diskutime dhe të vendosin me shumicë votash pavarësisht qëndrimit të kreut të KSHZ-së. Theksoj se për momentin, KSHZ-ja, përmes ekspertëve të OSBE-së, punon në çështjen lidhur me kontrollimin e listës zgjedhore".

Kreu i KSHZ-së Kondarko, përmes reagimit, sqaron se përpunimi i të dhënave të listës zgjedhore akoma nuk është në tërësi kompetencë e këtij organi zgjedhor. Sipas tij Enti Shtetëror i Statistikave, si organ kompetent, akoma nuk ka dërguar të dhënat nga azhurnimi i rregullt vjetor i listës zgjedhore, që nga muaji korrik. Kjo, sipas tij, është konstatuar edhe në takimin e fundit të grupit të punës për pastrimin e listës zgjedhore të mbajtur në muajin shtator. Gjyltene Rexhallari

Free Traffic Exchange