Ngecja në realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, çështje që televizioni ALSAT e trajton prej ditësh, ka zënë vend qendror edhe në Komision për Buxhet, në debatin për rishikimin për këtë vit. Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi theksoi se në 6 vitet e fundit në administratë janë punësuar mbi 20 mijë maqedonas, gjë që pengon rritjen e përqindjes së shqiptarëve në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike.
"Musa Kapedanit i merren 250 mijë euro prej Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit sepse nuk i duhen ato pare atij, sepse duhet të realizohen vende të reja pune për maqedonasit. Për këto 6 vite në administratën publike janë punësuar 20 mijë maqedonas në administratën shtetërore ndërsa shqiptarë, vetëm disa qindra edhe madje, ata rrinë nëpër shtëpi, siç rrinë ata nëpunës shqiptarë që nuk janë të sistemuar", tha Orhan Ibrahimi,deputet i PDSH-së.
Deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili, duke iu përgjigjur kolegut të tij nga PDSH-ja, tha se përqindja adekuate e shqiptarëve në administratë do të arrihet kur të përfundojë sistemimi në institucione të të punësuarve në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që përbën problem më vete sa i përket arritjes së përfaqësimit të shqiptarëve.
"Për sa i përket marrjes së mjeteve nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, të informoj se atje ka një numër mbi 1300 të punësuar që po shpërndahen nëpër institucionet shtetërore, dhe në bazë të një analize që kemi bërë, pas kësaj, shumë institucione do të plotësojnë kuotën prej 25 % që parashikohet për shqiptarët në Maqedoni", deklaroi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.
Nga ana tjetër, RDK-ja e Rufi Osmanit iu bëri apel dy partive të tjera shqiptare që të ulen dhe të hartojnë një strategji të përbashkët për kapërcimin e këtij problemi.
"Është shumë me rëndësi që dy partitë e mëdha, edhe ne si RDK, të ulemi dhe të hartojmë një strategji të përbashkët me të cilën do të kërkonim nga Qeveria e Maqedonisë, që në të gjitha konkurset e ardhshme të cilat do të hapeshin për punësime në administratë dhe në ndërmarrjet publike, ku themelues është shteti, të kërkojmë që kjo përqindje të jetë jo 25%, por më shumë se 30 ose 40%, që në një afat sa më të shkurtër kohor të arrihet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat", u shpreh Naxhi Xhelili, RDK.
Sipas Raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2012, shqiptarët janë të përfaqësuar në administratën publike në nivelin 17,8 %. Por duke marrë parasysh se jo të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë dorëzuar të dhëna tek Avokati i Popullit, përqindja reale mund të jetë akoma më e ulët. Praktika e Qeverisë që në çdo konkurs të sigurojë kuotë prej 25% për shqiptarët, do të thotë që përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucione publike nuk do të arrihet edhe për shumë vite të tjera. Benjamin Arifi