Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi sot se procesi i regjistrimit është ende në fazë mendimi për qeverinë e tij. Gruevski pranoi se regjistrimi i kaluar pati përvoja të pakëndshme, por ai nuk dha detaje mbi përgjegjësinë e njërës palë apo tjetrës si fajtore për dështimin e tij. Lidhur me mos zhvillimin e këtij procesi, disa ditë më parë edhe ministri i Financave shoi shpresat kur tha se në buxhetin e ri nuk është parashikuar asnjë denar për këtë proces.
"Kishim një përvojë negative në procesin e regjistrimit të kaluar. E pamë se si përfundoi ajo, dhe jemi në fazën e mendimit dhe analizës se si të zhvillohet regjistrim nga i cili do të jemi 100% të sigurt se përvojat negative nga regjistrimi i fundit nuk do të përsëriten", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët mbi pastrimin e listës zgjedhore, Gruevski hoqi çdo përgjegjësi duke thënë se kjo punë është obligim i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
"Shihet qartë se ka një frenim nga kryetari i komisionit zgjedhor i cili është nga partia e njëjtë më Zaevin, LSDM-ja e cili gjatë gjithë kohës kërkon alibi për mospastrimin e listës zgjedhore. Ja, unë po i bëj thirrje publikisht; edhe Zaevit që t'i japë urdhër Kondarkos por edhe Kondarkos, menjëherë të fillojë pastrimin e listës zgjedhore dhe ta mbarojë atë, sepse ajo është detyrë e tij, jo e kryeministrit apo ndonjë prej ministrave", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Gruevski i bëri komentet gjatë ceremonisë së hedhjes së gurthemelit të repartit të ri të Fabrikës italiane për pajisje hidraulike 'Vitek'. Ferikan Iljazi