Kuvend, filloi debati për rishikimin e buxhetit

2015-08-21 1

Rishikimi i buxhetit u vendos sot para deputetëve në komisionin kuvendor të financave. Ministri i financave Zoran Stavreski arsyetoi se me këtë rishikim të gjendjes së arkës shtetërore, nuk pritet të ketë shumë ndryshime; do të shtohen para në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, ndërsa deficiti buxhetor do të rritet në 3,9 % të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.

"Kategoria më kryesore, për shkak të cilës propozohet rishikim buxheti me para shtesë prej 1 miliardë e 34 milionë denarësh, është për të mbuluar pagesën e pensioneve për numrin e rritur të pensionistëve në vitin 2013, dhe rritjet që u bënë gjatë vitit. Me fjalë tjera, numri i pensionistëve është rritur për 6.600 persona", tha Zoran Stavreski, ministër i Financave.

Opozita, nga ana tjetër, tha se kjo gjendje krize e vazhdueshme për Fondin Pensional dhe Invalidor, përbën alarm serioz.

"Deri kur mendoni t'i rrisni transferimet drejt Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor? Me rishikimin e Buxhetit planifikoni që ato të arrijnë 21 miliardë denarë ose rreth 335 milionë euro. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e pensioneve do të paguhen nga Buxheti", deklaroi Marjanço Nikollov, LSDM.

Nuk mungoi as debati për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar, kur i miratua buxheti i cili po rishikohet sot!

"Kur po vija këtej nuk i takova ato grupe që organizuat para Kuvendit më 24 dhjetor, të cilët, sipas nevojës u sollën si bujq, si punëtorë të falimentuar, si besimtarë apo si mbrojtës të Buxhetin. Më shkoi mendja, mos vallë i keni dërguar në Amerikë që t'i ndihmojnë Obamës të zgjidhë çështjen me bllokimin e Buxhetit", tha Marjanço Nikollov, LSDM .

"Duhet t'ju falënderoj që sivjet më mundësuat mikrofona dhe askush nuk i shkuli që në 30 minutat e para të debatit. Kështu që, shpresoj se debati do të vazhdojë mirë, dhe do të kemi diskutime produktive mbi buxhetin", u shpreh Zoran Stavreski, ministër i Financave.
Për rishikimin e buxhetit janë dorëzuar 52 amendamente, ndërsa debati në Komisionin e Financave do të zgjasë 10 ditë. Opozita bëri të ditur se nuk ka paraqitur amendamente për këtë rishikim buxheti, pasi nuk dëshiron t'i japë legjitimet duke marrë parasysh mënyrën në të cilën u miratua ai në Dhjetor. Natasha Stojanovska

Free Traffic Exchange