Punësimi i 1600 punonjësve të rinj në administratën shtetërore dhe konkursi i sapo hapur për punësimin e 400 policëve të rinj ka nxjerrë në pah strategjinë e gabuar të qeverisë, e cila pamundëson përfaqësimin të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë. Gjatë këtyre punësimeve, 25% e vendeve të punës janë të garantuara për shqiptarët. Por, për shkak të përfaqësimit tejet të ulët aktual, pjesëmarrja me 25% në çdo punësim është e pamjaftueshme për të arritur kuotën e garantuar me kushtetutë. Sipas profesorit universitar të Administratës Publike Hasan Jashari duhet që të paktën 30% e vendeve të punës t'u garantohen shqiptarëve, me qëllim që viteve të ardhshme të arrihet 25 përqindëshi në total.
"Për të fuqizuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat duhet që të ketë të paktën një përfshirje prej 30 %. Mirëpo, që të arrihet kjo nuk duhet që puna t'i lihet vetëm Qeverisë, por duhet që të ketë vazhdimisht trysni parlamentare, sepse qeveria duhet të dridhet para parlamentit, dhe jo e kundërta. Tani, këtu janë të zhvendosura gjërat dhe natyrisht që nuk ka përgjegjësi dhe nuk i jepet llogari parlamentit për mos realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe çështjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve", tha Hasan Jashari, profesor universitar.
Kreu i Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Ejup Alimi sot nuk deshi të prononcohej për televizionin Alsat, për të shpjeguar se ku na çon kjo strategji punësimi. Megjithatë vetë zv/kryeministri Musa Xhaferi, muaj më parë deklaroi se punësimet masive të maqedonasve në administratë pengojnë arritjen e kuotës prej 25% të të punësuarve shqiptarë.
"Në këtë proces, ne vazhdimisht pranojmë njerëz që të përmirësojmë dhe të arrijmë balancin e përfaqësimit të drejtë. Të flasim hapur, nuk pranojmë vetëm shqiptarë, në vazhdimësi pranohen edhe maqedonas. Unë nuk jam kundër, por mendoj se paraqet një pamje të njëanshme. Duhet t'i shohim dy anët e medaljes. Nëse në atë garë, vazhdimisht pranohen edhe maqedonas, ne nuk do ta arrijmë qëllimin. Ajo, në një farë mënyre është sikur ne të vrapojmë në një piramidë që nuk ka fund, nuk ka mundësi që ta përballoj buxheti", deklaroi kohë më parë Musa Xhaferi, zv/kryeministër.
Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, për vitin 2012, nga 107 mijë të punësuarit në administratë, 19 mijë janë shqiptarë, ose 17.8%. Sipas analizave matematikore, për t'u arritur përfaqësimi i shqiptarëve me 25% në administratë, duhet që në periudhën e ardhshme të punësohen mbi 10 mijë shqiptarë dhe asnjë maqedonas! Benjamin Arifi