Në transmetim direkt në televizionin shtetëror është bërë përzgjedhja kompjuterike e 1600 personave që do të punësohen në administratën shtetërore. Kompjuteri ka klasifikuar kandidatët sipas katër kritereve, prindër që vetë kujdesen për fëmijët, persona që më shumë se 10 vite janë të papunë, persona prej familjeve me shumë fëmijë dhe persona të cilët në familje nuk kanë asnjë të punësuar. Ministri i Financave Zoran Stavrevski theksoi se kjo masë e qeverisë ishte e nevojshme për t'u dhënë shans qytetarëve të këtyre kategorive, të cilët më herët e kishin të vështirë të fitojnë punë në sektorin publik.
"Ne mundohemi me rritjen e ekonomisë, me investime të huaja të zgjidhim çështjen e papunësisë, por vlerësuam se na duhet një masë e tillë, për shkak se shumë vite, të mos them dekada, ka qytetarë që asnjëherë nuk kanë pasur shanse, nuk kanë marrë as informatë, për shkak të vendbanimit, për shkak asaj që vijnë nga familje të varfra, asnjëherë nuk ka arritur deri te ata informata për ndonjë punësim apo mundësi për të zgjidhur çështjen e punësimit. Prandaj vlerësuam se duhet të bëhet kjo, t'u ndihmohet kësaj kategorie të qytetarëve të fitojnë vend pune", tha Zoran Stavrevski, Ministër i Financave.
Ndërkaq, LSDM-ja opozitare, mënyrën e tillë të përzgjedhjes së të punësuarve e sheh si nënçmim dhe degradim të të papunëve.
"Mendoj se me këtë veprim, Qeveria rrënon vërtetë dinjitetin e të papunëve, të atyre me standard të ulët dhe ata që jetojnë nën nivelin 'dysheme'. Mendoj se me të vërtetë është degraduese të paraqiteni dhe të prisni që fati t'ju sjell vend pune. Nuk di njeriu se çfarë të thotë! Ja për shembull, shpresoj se nuk do t'i kujtohet Qeverisë ta realizojë këtë ide, të organizojë gara gladiatorësh në Arenën Filipi i Dytë dhe prej 2-3 mijë njerëzve, t'ju ndajë punësime dhe banesa atyre që do të mbeten të gjallë", deklaroi Petar Atanasov, LSDM.
Në konkursin e hapur muaj më parë ishin paraqitur mbi 20 mijë qytetarë, për vende të ndryshme pune, për të cilat kërkohej kualifikim i ndryshëm, nga vende pune me arsim fillor, deri në udhëheqës sektoresh që duhej të kishin arsimin e lartë. Benjamin Arifi