Ministria e ekologjisë ka përgatitur dënime për të gjitha komunat në vend për shkak të mos përpilimit dhe zbatimit të planit për menaxhimin me mbeturinat. Komunat janë dënuar me nga 3 mijë euro, ndërsa kryetarët e Komunave me nga 500 euro, për shkak se nuk kanë përpiluar në kohë planet për menaxhimin me mbeturinat. Minsitri i ambientit Abdylaqim Ademi tha se dënime do të ketë përsëri, nëse Komunat nuk ndërmarrin masa për të menaxhuar me deponitë e egra.
"Ne jemi duke përgatitur edhe dënimet për kryetarët e komunave, por edhe për komunat të cilat nuk kanë miratuar plane për menaxhimin me mbeturinat sepse ky është obligim i tyre për tu miratuar për çdo ditë. Këtë besoj që nuk do ta kuptojnë si dënim të tyre por do ta kuptojnë si një iniciativë tonën për ti kujtuar se edhe vitin e ardhshëm do duhet të miratojnë plane të tilla për menaxhimin me mbeturinat", tha Abdylaqim Ademi, ministër i ambientit jetësor.
Për keq-menaxhimin me mbeturinat janë dënuar edhe komuna e Likovës dhe ajo e Haraçinës, të cilat me këtë problem përballen tashmë dhjetë vite. Edhe përkundër premtimeve nga krerët e këtyre dy komunave, akoma nuk ka një zgjidhje të këtij problemi. Në kuadër të aksionit kombëtar 'Maqedonia pa mbeturina 2013', ministri Ademi dhe kreu i Shkupi Koce Trajanovski morën pjesë në pastrimin e deponisë nën urën e stacionit të vjetër hekurudhor.
"E zgjodhëm këtë lokacion duke marrë parasysh se këtej duhet të kaloj një rrugë. Pas pastrimit të këtyre mbeturinave do të fillojmë me pastrimin e mbeturinave punuese dhe do ta rregullojmë vendin që do të lidhë "Brigadën e 3të maqedonase" dhe bulevardin "Jane Sandanski". Kjo duhet të jetë një angazhim i vazhdueshëm i yni", deklaroi Koce Trajanovski,kryetar i qytetit të Shkupit.
Trajanovski apeloi që qytetarët të vetëdijesohen për ruajtjen e ambientit. Aksione të ngjashme sot janë mbajtur në të gjitha qytetet e Maqedonisë. Ferikan Iljazi