Në prokurori, 3 zyrtarë të Kserës, abuzim me fondet

2015-08-21 2

TIRANË - "Task force" e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet ndaj tre zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të drejtuar nga Spiro Ksera. Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka konstatuar abuzim me fondet publike. Sipas prokurorisë, në hetim është Klevis Bitro me detyrë drejtor i Kabinetit pranë kësaj ministrie, drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse, Flora Batusha dhe këshilltari grek i ministrit, Theofanis Kaliviotis. Tre zyrtarët, sipas akuzës, kanë përvetësuar shuma të mëdha parash nga 6 aktivitete të ndryshme të organizuara nga ky institucion, por vetëm në letër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka depozituar katër kallëzime penale në Prokurori ndaj zyrtarëve të ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Nga auditi i ushtruar janë konstatuar shumë parregullsi, shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve të ministrisë dhe në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore. Auditi është realizuar për periudhën 01/04/2011 deri më 30/09/2012. Sipas KLSH-së, vlera e shkeljeve të ligjshmërisë ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 23 728 976 lekë.