Italia në zi për tragjedinë e emigrantëve afrikanë

2015-08-21 6

Me flamuj në gjysmë shtizë dhe një minutë heshtje, Italia nisi nderimet e më shumë se 300 emigrantët që u mbytën një ditë më parë, pas fundosjes së një anije në ishullin Lampeduza. Sipas mediave lokale, vazhdon kërkimi për personat të tjerë të pagjetur, edhe pse të gjitha shpresat për gjetjen e mundshme të ndonjë emigranti gjallë, janë shuar. Në aksionet e deritashme janë shpëtuar rreth 150 njerëz.

"Pas një tragjedie të tillë, më e pakta që mund të bënim, ishte një ditë zie. Duhet të ndërmerren masa që një tragjedi e tillë të mos na ndodhë kurrë më. Mirëpo, para se të kërkojmë ndihmë nga Evropa, duhet që edhe vetë ne, të marrin hapa vendimtarë", u shpreh një deputet italian.

Midis viktimave ka shumë gra dhe fëmijë. Viktima më e re është një foshnje tremuajshe. Tragjedia ndodhi rreth një kilometër nga bregu italian. Sipas të dhënave, para se të fundosej, anija ishte përfshirë nga flakët. Pikërisht paniku çoi në animin e anijes së tej-mbushur, duke u përmbysur. Një dëshmitar i ngjarjes, tregon momentet e fundosjes së anijes.

"Veç sa kishte nisur të agonte, kur dëgjova disa klithma të çuditshme. Në fillim mu dukën si pulëbardha, por shoku im më tha që të lundronim dhe të shikonim çfarë ndodhte. Skena ishte dramatike. Qindra njerëz qanin dhe ulërinin për ndihmë. Menjëherë thirrëm rojën bregdetare dhe njoftuam për tragjedinë. Arritëm që të shpëtonim 47 njerëz. Në barkën tonë nuk kishte vend për më shumë", tha Marcelo Nica, peshkatar.
Përfaqësuesi i kombeve të bashkuara për emigrantët tha se tragjedia është rezultat i politikës represive ndaj emigrantëve të paligjshëm. Anija 20 metërshe bartte klandestinë nga Afrika, kryesisht nga Somalia dhe Eritrea. Objektiv kryesor i tyre ishte zbritja në Itali, për një jetë më të mirë. Petar Bllazhevski

Free Traffic Exchange