Dështon tentativa për bashkëpunim mes PDSH-së dhe RDK-së, e paralajmëruar dje nga lideri i PDSH-së Menduh Thaçi. Dështimi është konfirmuar nga kreu i Komisionit të PDSH-së që kryesonte bisedimet me RDK-në, Ziadin Sela. Kryetari i Komunës së Strugës njoftoi se për PDSH-në është e pranueshme vetëm shkrirja e RDK-së në PDSH, dhe jo ndonjë formë tjetër bashkëpunimi.
"Fatkeqësisht konstatoj se në këto momente, bazuar në deklaratat e dhëna nga kreu i RDK-së, konstatoj se nivelin e bashkëpunimit që RDK-ja kërkon të vendosë me PDSH-në, i ngjan nivelit të bashkëpunimit që RDK-ja dhe Rufi Osmani ka aktualisht me Zaevin. Prandaj, ne jemi për bashkim, ky është rezultati edhe i zgjedhjeve dhe vetëm në këtë mënyrë, do të arrijmë që hallet që kanë shqiptarët edhe në nivel qendror t'i nxjerrin nga ai kolaps në të cilin ndodhen... Mendoj që këto bisedime nuk kanë asnjë kuptim sepse duhet fillimisht të deklarohen a janë për bashkim, ndërsa ato e përjashtuan komplet bashkimin", deklaroi Ziadin Sela, PDSH.
Për RDK-në, model i vetëm i pranueshëm i bashkimit të opozitës është koalicioni si dy parti të pavarura, dhe jo bashkim apo shkrirje mes tyre.
"Bashkëpunimi i opozitës shqiptare fuqizon politikisht opozitën shqiptare dhe rrit mandatet e saja politike në nivel të pozitës aktuale me shanse reale që në zgjedhjet e radhës opozita shqiptare të jetë fituese në kampin politik shqiptar. Duke qenë të vetëdijshëm se bashkëpunimi i opozitës shqiptare sot është interes kombëtar, Rilindja Demokratike Kombëtare ofron modelin e bashkëpunimit LSI-PS si model më korrekt dhe real për bashkëpunimin opozitar shqiptarë në Maqedoni", thuhet në komunikatën për shtyp të RDK-së.
Partia shqiptare në pushtet, BDI-ja tha se e sheh bashkëpunimin e mundshëm të opozitës, si manipulim të opinionit, për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga koalicioni që aktualisht PDSH-ja ka me VMRO DPMNE-në në Strugë, për zgjedhjen e kryetarit të këshillit në Komunës.
"Ajo çfarë është më skandaloze është fakti se sot u tentua që të keqpërdoret emocioni që kanë qytetarët, veçanërisht shqiptarët për unifikimin, bashkëpunimin dhe bashkimin e forcave politike shqiptare, për të mbuluar një koalicion tjetër, koalicionit VMRO DPMNE dhe PDSH në Strugë, duke u munduar të krijojnë alibi se ne po bëjmë koalicion mbarëshqiptarë me partitë opozitare shqiptare", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Tentativa për bashkëpunim mes dy partive opozitare shqiptare, dështon për të dytën herë. Vitin e kaluar PDSH-ja e prishi koalicionin me RDK-në e Osmanit, vetëm pas një muaji bashkëpunimi. Benjamin Arifi