Sasia e rritur jashtë mase e kredisë së keqe ka shkaktuar shqetësim tek organet shtetërorë që janë të ngarkuara me mbikëqyrjen e tregut financiar në vend.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) është në bisedime me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të përfituar një linjë kredie në vlerën e 100 milionë eurove.
ASD ka bërë të ditur se qëllimi i nisjes së bisedimeve për këtë linjë kredie është zgjerimi i burimeve financiare në dispozicion të Agjencisë. Kjo linjë kredie përfaqëson një burim rezervë financimi, që do të përdorej në rast se do të vlerësohet e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve, që mund të lindin ndaj depozitorëve të siguruar.
Me ligj, në rast falimentimi bankar, shteti garanton deri në 2.5 milionë lekë të reja ose kundërvleftën në valutë të huaj.
Garancia është një instrument gjerësisht i përdorur në fushën e sigurimit të depozitave.Linja kredie të ngjashme janë akorduar nga BERZH edhe për vende të tjera të rajonit si Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina dhe janë aktualisht në proces bisedimesh me Kosovën dhe Serbinë.