Banorët e fshatit Mbyet në komunën Portëz në rrethin e Fierit rrezikojnë jetën si pasojë e shpërthimit të gazit metan nga tubacionet nëntokësore që vijnë nga Divjaka.
Banorët prej disa ditësh rrezikojnë të helmohen, si pasojë e erës që çliron gazi metan, për shkak të amortizimit të tubacioneve që kalojnë përmes fshatit nga ndërmarrja e gazsjellësit në Divjakë.
Por, për të eliminuar sadopak gazin dhe erën mbytëse i kanë vënë flakën tubacionit në pikat ku çlirohet gaz metan, duke provokuar kështu edhe ndonjë zjarr të mundshëm në tokat bujqësore.
Ata ankohen se shqetësimit të tyre nuk i ka vënë vesh askush, ndërsa bëjnë apel për ndihmë, pasi jetët e tyre janë në rrezik.
"Kemi lajmëruar organet e ndërmarrjes së gazsjellësit, e kanë riparuar, por sërish rrjedh, ka rrezik për lagjen nga era. Fshatarët i kanë vënë flakën për të mos u përhapur era. Dëmtohen edhe tokat, dhe s'kanë marrë asnjë masë", thonë banorët.