Buxheti amerikan, Kongresi larg arritjes së marrëveshjes

2015-08-21 5

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane ka nisur të hënën në mesnatë kur edhe ka filluar viti i ri fiskal. Ndikimi është parë menjëherë në gjithë SHBA-të. Shumë agjenci, pastaj muzetë dhe monumentet kombëtare, përfshirë edhe Shtatoren e Lirisë dhe Parkun Kombëtar Yellowstone, janë mbyllur. Qindra mijëra punëtorëve u është thënë se ata janë personel "joesencial" dhe janë dërguar në shtëpi pa pagesë. Ligjvënësit në Kongres dhe presidenti do të vazhdojnë të paguhen. Ndikimi është vërejtur edhe tej oqeanit, pasi disa varreza të ushtrisë amerikane në Evropë janë mbyllur për vizitorë. Liderët amerikanë kanë ofruar siguri se operacionet e nevojshme për sigurinë kombëtare dhe publike nuk do të mbyllen. Por, zyrtarët thanë se punëtorëve u është thënë që të mos vijnë në punë, përfshirë dhjetëra mijëra punonjës civilë në Departamentin e mbrojtjes. Për gjendjen e krijuar presidenti Obama ka akuzuar republikanët në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit amerikan, se e kanë shkaktuar mbylljen e pjesshme të qeverisë në 17 vjet, duke thënë se republikanët e kanë lansuar një "betejë ideologjike" kundër ligjit për kujdesin shëndetësor të presidentit Obama. Në anën tjetër, republikanët i akuzojnë demokratët e presidentit Obama se refuzojnë të zhvillojnë negociata. Hulumtimet e opinionit tregojnë se një shumicë e fuqishme e amerikanëve kundërshton mbylljen e qeverisë si mënyrë për ta shkatërruar kujdesin shëndetësor të Obamës. Kundërshtarët republikanë të presidentit, shumica prej grupit Tea Party, që është kundër pagesës së taksave, dëshirojnë që kujdesi shëndetësor i Obamës të anulohet, pasi konsiderojnë se ai paraqet kërcënim për ekonomi dhe për vendet e punës. Petar Bllazhevski