Administrata civile në tetë vitet e qeverisjes së të djathtëve ka qënë nën goditjen e valës së largimeve nga puna. Pavarësisht se kanë qënë të mbrojtur nga statusi i nëpunësit civil, apo dhe Kodi i Punës në rastet kur nuk kanë pasur statusi pasi nuk e parashihte vendi i punës, kjo nuk e ka penguar qeverinë "Berisha" që në tetë vite qeverisje të largonte pa të drejtë mbi 37 mijë punonjës të administratës, thjeshtë për motive politike.
Burimet pranë selisë rozë, e cila në këto vite ka mbajtur evidencë për këto largime nga puna përpos numrit të të larguarve ka bërë dhe një përllogaritje financiare, ku i dëmtuar ka qënë vetë shteti. Pasi këta të larguar nga puna, përmes gjyqeve, përfitimeve të statusit të nëpunësit civil kanë përfituar të drejtën e tyre për t'u rikthyer në detyrë, dhe duke qënë se s'janë zbatuar vendimet e gjykatave për të njejtin vend punë janë paguar 2 ose 3 persona. Kostoja financiare për arkën e shtetit e përllogaritur për këto tetë vite e kalon shumën e 131 milionë dollarëve, vetëm për shkak të largimeve politike nga puna të punonjësve të administratës dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiakë.