Kosova dhe Maqedonia janë kontribuuesit më të mëdhenj për paqen në rajon dhe janë shembull për një bashkëpunim të mirë fqinjësor. Maqedonia mbështet Kosovën dhe Forcat e saj të Sigurisë në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme për pjesëmarrje në misione dhe zhvillimin e ushtrisë. Ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi priti në Shkup homologun e tij nga Kosova Agim Çeku, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Pos bashkëpunimit, Çeku foli më tepër për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe marrëveshjen e arritur me Serbinë.
"Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të tyre, kanë nënshkruar një marrëveshje e cila me pak vështirësi dhe me disa vonesa, por prapë se prapë po implementohet. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është normalizimi i raporteve, integrimi i pjesës veriore të Kosovës dhe integrimi i komunitetit serb në sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës", deklaroi Agim Çeku, Ministër i FSK-së.
"Rajoni do të jetë i plotë atëherë kur të gjitha subjektet rajonale do të jenë anëtare të plotfuqishme të të gjitha nismave rajonale dhe ne edhe si Ministri e Mbrojtjes por edhe si Shtatmadhori po zotohemi publikisht që në çdo nismë rajonale ku do të jemi prezent do të potencojmë nevojën që të gjitha vendet e rajonit të jenë prezent", tha Talat Xhaferi, Ministër i Mbrojtjes.
Dy ministrat nënshkruan marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha, siç janë mbrojtja, arsimi, këmbimi i përvojave, shfrytëzimi i kapaciteteve të poligonit ushtarak 'Krivollak' dhe Akademia Ushtarake në të cilën për momentin po shkollohen edhe kadetë nga Kosova së bashku me kadetë nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Çeku takoi edhe kadetët e Kosovës që studiojnë në akademinë ushtarake në Shkup. Valmir Kuçi