Nëpunësi civil, Basha takon ambasadorët BE: Jo kompromisit

2015-08-21 0

TIRANË - Dy ditë pas takimit të ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvilluan sot një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike lidhur me ligjin e nëpunësit civl.

Takimi i nisur në orën 11: 30 minuta ka zgjatur për gati një orë e gjysmë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Në orën 13: 35 në një deklaratë për gazetarët para selisë PD Basha akuzoi se me ndërhyrjen në ligjin e nëpunësit civil po kërkohet të zëvendësohet administrata me militantë partiakë dhe se po kërkohet të shkelmohet bashkëpunimi ndërpartiak.

"Në mënyrë krejtësisht jo transparente, larg vëmendjes së publikut, palëve të interesuara, mësojmë jozyrtarisht se ka përpjekje për të ndërhyrë apo ndryshuar përmbajtjen e tij të vendosur më 30 maj, për të intensifikuar spatsrimin e administratës publike dhe shërbimit civil dhe zëvendësimin me militantë partiakë. Ky është një hap prapa dhe rëndon dhe taksapaguesit si edhe një shkelmim i bashkëpunimit ndërpartiak.

PD e ka denoncuar këtë përpjekje tinzare të kryeministrit Rama për të shkelmuar konsensusin e arritur para zgjedhjeve vetëm e vetëm për të zëvendësuar administratën me militantë partiakë. Nuk do ketë asnjë mirëkuptim për këtë hap. Ligji që po tentohet të shtyhet pa asnjë kriter transparent është një shpallje lufte e hapur ndaj aspiratave tona dhe frymës së domosdoshme të bashkëpunimit"- tha Basha.