Delegacioni i Qeverisë i kryesuar nga kryeministri Nikola Gruevski, në forumin e biznesit në Çikago i prezantoi përfitimet për investimet në vend. Gruevski, para biznesmenëve amerikanë vuri në dukje se vendi ka taksa më të ulëta dhe kuadër të rinj dhe të arsimuar. Në forumin e biznesit morën pjesë rreth tridhjetë përfaqësues të kompanive amerikane nga fusha e industrisë së automobilave, mjekësisë, energjetikës dhe infrastrukturës. Delegacioni i Qeverisë, në të cilin janë edhe ministri i Shëndetësisë Nikola Todorov, kishte takime edhe me ekipet e menaxhimit të tri qendrave mjekësore, me të cilët janë nënshkruar memorandume për bashkëpunim.
"Bëhet fjalë për tri spitale shumë të fuqishme, spitale shumë të avancuara, në shumë specializime të ndryshme. Ata punojnë me shumë metoda që tek ne ende nuk i kanë të njohur mjekët tanë dhe nuk zbatohen në Maqedoni, kështu që për shumicën e këtyre metodave, pacientët tek ne i dërgojmë jashtë vendit dhe për këtë paguhen shpenzime të mëdha. Me këtë bashkëpunim dhe me trajnimin e mjekëve tanë do të anulohen shpenzimet dhe qytetarët tanë që kanë nevojë për metoda të tilla të shërimit nuk do të shkojnë jashtë vendit, por në mënyrë më të shpejtë dhe më efikase, këtë do ta kryejnë në Maqedoni", deklaroi Nikola Gruevski, kryeministri i Republikës së Maqedonisë. Alsat-M