TIRANË - Kuvendi do të mblidhet të enjten për të miratuar përbërjet e komisioneve parlamentare por dhe të delegacioneve të përhershme. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njoftoi sot për datën e seancës së ardhshme parlamentare pas mbledhjes së konferencës së kryetareve.
"Me konsensus kemi rënë dakord për rendin e ditës. Në thelb është konstituimi i komisioneve të përheshme të Kuvendit me drejtimin e tyre, dhe përbërjen në përputhje me rregulloren. Po kështu do miratohet dhe përbërja e sekretariateve dhe delegacioneve të përheshme të Kuvendit dhe miratimi i zv./kryetarit të Kuvendit të propozuar nga mazhoranca, Vangjel Dule."-sqaroi Meta.
Kryetari i parlamentit nënvizoi se opozitës i është dhënë konsensus duke i dhënë drejtimin e 3 komisioneve pavarësisht se mazhoranca është ndjeshëm më e madhe se mazhoranca e parlamentit të kaluar.
" I kemi dhënë opozitës konsensusin, pavarësisht raporteve elektorale të shprehura në Parlament, ku mazhoranca është ndjeshëm më e madhe se ajo e mëparshme lidhur me drejtimin e komisioneve të përhershme, do të ruhet raporti i mëparshëm, 3 komisione.
I pyetur nëse në rend të ditës do të përfshihen dhe ligjet e miratuar nga qeveria Berisha, Meta u përgjigj: Do të veprohet në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe kompetencat që na jep rregullorja. Me transparencë të plotë dhe në bashkëpunim me këshillin e Ministrave sa i takon rendit të ditës."
I pyetur nëse Berisha dhe Topalli do të jenë pjesë e delegacioneve të përhershme të Parlamentit Meta u përgjigj:
"Të gjithë ata që kanë kërkuar të jenë në komisione janë dhe sigurisht që do të jenë emrat do të bëhen publik të enjten. "
I pyetur për SHQUP, Meta tha "Nuk është çështja më e rëndësishme, që shqetëson Ramën apo mazhorancën, pavarësisht nga problemet e kontestimet për vendimin në fjalë.
Jam i bindur se kjo mazhoranca është e prirur qartë drejt përmbushjes së axhendës europiane"