PDSH-ja sot ka dhënë vlerësimin e saj për projekt buxhetin për vitin 2014 duke e quajtur buxhet antishqiptar, një nacional dhe diskriminues. Deputeti i kësaj partie, Imer Aliu ka reaguar në veçanti ndaj deklaratës së një ditë më parë të zyrtarëve të BDI-së se buxheti nuk mund të ndahen në baza etnike. Kjo deklaratë tha Aliu është në vijën e asaj të VMRO-DPMNE-së të cilët duke iu referuar këtij vlerësimi kanë diskriminuar shqiptarët. Por nga BDI-ja tha se vlerësimet e PDSH-së nuk mbajnë. Zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha tha se janë hipokrizi dhe qesharake vlerësimet e PDSH-së e cila mohon projektet e shumta të parapara për zonat e banuara me shqiptar.
"Dje argatët e Gruevskit dolën para shqiptarëve me një konstatim të cilin nuk e kishim dëgjuar deri më tani, ata thanë se projektet e këtij buxheti nuk mund të gjykohen në baza etnike, pasi që nuk mund të ndahen etnikisht. Pra, deri tani këtë argument e kemi dëgjuar vetëm nga pala maqedonase, dje për herë të parë e dëgjuam edhe nga shqiptarët që të dalin dhe të konstatojnë se buxheti nuk mundeshka të ndahet në baza etnike. Shtrohet pyetja, si e arritën kjo Qeveri që ti ndajë vendbanimet shqiptare në bazë etnike. U sugjerojmë këtyre që janë në pushtet pa pushtet, që të dalin në vendbanimet shqiptare dhe të shohin se si Qeveria ku ata janë pjesë, i ka ndarë në baza etnike duke mos investuar as edhe një qindarkë në infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim apo në përgjithësi për nevojat në të cilat duhet investuar nëpër ato vendbanime", deklaroi Imer Aliu, deputet i PDSH-së.
"Është hipokrizi dhe qesharake kur një vlerësim i tillë vjen nga një subjekt politik, subjekt i cili gjatë funksionimit të vet, apo gjatë qeverisjes nuk ka asnjë projekt shqiptarë të realizuar, të iniciuar, projektuar apo të realizuar me mjete nga buxheti. Është qesharakë të vlerësohet se është projekt një etnik dhe diskriminues, andaj i pyesim se a është diskriminues ndërtimi i sheshit Skënderbeu. I pyesim se a është diskriminues ndërtimi i ujësjellësve nëpër komunat shqiptare. A është diskriminues ndërtimi i teatrove, a është diskriminues ndërtimi i spitaleve, siç është ai spitali në Kërçovë dhe spitaleve tjera, a është diskriminues ndërtimi dhe realizimi shumë projekteve tjera të cilat parashihen mu pikërisht në buxhetin e vitit 2014. Pra projekte të cilat nuk mund ti ndajmë në baza etnike sepse bëhen për të gjithë qytetarët e vendit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë. Alsat-M