Drama e pengmarrjes në Keni ende nuk ka mbaruar

2015-08-21 0

Drama e pengmarrjes në Najrobi të Kenisë po hyn në ditën e saj të katërt. Ndonëse mbrëmë ministri i brendshëm i Kenisë deklaroi se forcat e sigurisë e kontrollojnë qendrën tregtare, mediat perëndimore njoftojnë se gjatë mëngjesit të sotëm atje ende nëgjohen të shtëna. Ndërkohë, grupi islamik somalez Al Shabab, në profilin e tyre në Twiter publikuan se luftëtarët e tyre ende mbajnë pengje në ndërtesën e qendrës. Në mesazhin e tyre, Al Shabab demanton deklaratat e autoriteteve të Kenisë se në mesin e luftëtarëve të tyre në qendrën tregtare ka edhe shtetas të Britanisë dhe Amerikës. Nga Shtëpia e Bardhë ende po hetojnë pohimet e tilla, ndërsa autoritetet në Londër thanë se në mesin e viktimave ka edhe shtetas të Britanisë.

"Deri tani kemi informata se janë vrarë 6 shtetas të Britanisë së Madhe. Është e mundshme që edhe shtetas tjerë të Britanisë të kenë qenë viktima të sulmuesve, por atë do e konfirmojmë pasi e tërë ndërtesa të vihet nën kontroll", tha Tereza Mey, ministre e punëve të brendshme e Britanisë.

Por, si duket as keniasit nuk kanë informata të sigurta rreth numrit të saktë të viktimave. Nga mëngjesi i sotëm banorët e Najrobit po grumbullohen para qendrave të krizës në pritje të publikimit të listës së të vdekurve.

"Burri i shoqes sime punon në qendrën tregtare. Nuk dimë asgjë për të. Autoritetet na thonë që listat me emrat e viktimave ende nuk janë gati. Nëse ai është i vrarë, le të na tregojnë ta dimë. Kështu jemi në pritje të pakëndshme", u shpreh një banore e Najrobit.

Disa mediume britanike publikuan lajmin se Samantha Lutvejt, e quajtur "Vejusha e Bardhë" në mënyrë të drejtpërdrejtë ka marrë pjesë në sulmin në Keni. Lutvejt është grua e vejë e Xhermejn Lindzi, njërit nga sulmuesit e metrosë në Londër në vitin 2005 në të cilin humbën jetën 50 persona. Sipas informatave të fundit, në sulmet ndaj qendrës tregtare në Najrobi janë vrarë të paktën 69 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë janë lënduar. Petar Bllazhevski

Free Traffic Exchange