Grupi "24 dhjetori", afrohen qëndrimet për buxhetin

2015-08-21 1

Procedura e miratimit të buxhetit ishte në fokusin e punës së sotme të grupit të punës për zbatimin e rekomandimeve të dala nga Komisioni Hetimor i ngjarjeve të 24 dhjetorit. Mësohet se qëndrimet mes palëve në grup, janë afruar afërsisht në 90 %. Ndërkohë, për LSDM-në opozitare, krahas buxhetit, prioritet mbetet edhe rishikimin e ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar si dhe përkufizimi i debateve. Nexhati Jakupi, anëtar i grupit nga radhët e BDI-së, shprehet optimist se më 1 tetor, buxheti do të hyjë në procedurë parlamentare.

"Të tre grupet parlamentare të përfaqësuara në grupin e punës kemi punuar jashtëzakonisht në mënyrë intensive që të përafrojmë qëndrimet tona dhe pothuajse 90 për qind kemi përcaktua skeletin e procedurës për miratimin e buxhetit. Mendoj që nga dita e hënë do ta bëjmë rrumbullakimin formal se si do të duket miratimi i buxhetit prej këtij viti e andej", tha Nexhati jakupi, deputet i BDI-së.

Sipas Jakupit, megjithë propozimet e subjekteve politike, përkufizimi i debatit gjatë punës së komisioneve nuk do të ndryshojë. Një gjë e tillë, sipas tij, mund të miratohet vetëm me konsensus të plotë nga të gjitha subjektet politike. Kështu, nuk ka asnjë shans që ligji për 'branitellat' të zhbllokohet.

"Ne që në fillim kemi qenë në qëndrimin se promovojmë tolerancë maksimale në debatin nëpër komisione. Me çështjen e përkufizimit në ditë, me mos pranimin nga ana jonë, defakto ne mbërrijmë këtë ligj dhe çdo ligj tjetër që do të kishte rrënuar marrëdhëniet ndëretnike", deklaroi Nexhati jakupi, deputet i BDI-së.

Grupi i punës bojkotohet nga PDSH-ja opozitare, e cila mbetet në qëndrimin se në Maqedoni ekzistojnë probleme më të mëdha për shqiptarët, veçanërisht mes tyre dhe komunitetit tjetër maqedonas. Bedri Rexhallari