TIRANE - Partitë kryesore PS dhe PD përzgjodhën dje emrat e drejtuesve të komisioneve parlamentare. PS mblodhi mbrëmë kryesinë për të përzgjedhur emrat, ndërkohë që PD mblodhi mesditën e djeshme grupin parlamentar.
Komisioni i Ligjeve, i Ekonomisë, i Sigurisë, Veprimtarisë Prodhuese dhe i Jashtëm do të drejtohet nga socialistët, ndërkohë që Komisioni i Çështjeve Sociale, Integrimit dhe Medias do të drejtohen nga Parta Demokratike.
Mazhoranca do të drejtojë komisionin e Sigurisë Kombëtare me kryetar Spartak Braho aty ku Partia Demokratike ka zgjedhur për nënkryetar Flamur Nokën. Për Brahon ka vendosur Partia Socialiste, pasi ai është pjesë e PS dhe merr pjesë në mbledhjen e grupit të PS.
Është rënë dakord në Kryesi që komisionin Parlamentar të Ligjeve ta drejtojë deputeti Fatmir Xhafaj, ndërsa Partia Demokratike ka zgjedhur për nënkryetar Oerd Bylykbashin.
Po ashtu është rënë dakord që komisionin Parlamentar i Ekonomisë të zgjidhet si kryetar Erjon Braçe aty ku PD ka zgjedhur si nënkryetar Ridvan Boden. Për kryetar të këtij komisioni kanë qenë dy kandidatura, Erjon Braçe dhe Anastas Angjeli, ku mesa duket Braçja ka fituar besimin e kryesisë.
Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese do ta drejtojë deputeti Eduard Shalsi.
Po ashtu si nënkryetare të komisionit të Shëndetësisë është zgjedhur Klodiana Spahiu.
Pozicionet e tjera të nënkryetarëve të komisioneve i janë lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërsa si nënkryetar i komisionit të Medias është zgjedhur Alfred Peza.
Gjithashtu Kryesia e Partisë Socialiste ka zgjedhur për nënkryetar të Kuvendit aleatin e tyre, Vangjel Dule. Ndryshe nga ministrat që i zgjodhi të ri, drejtuesit e komisioneve i ka zgjedhur "të vjetrit".