Emri, perdja e vetme mes Maqedonisë dhe NATO-s

2015-08-21 0

Pengesë e vetme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO mbete çështja e pazgjidhur e emrit. Kështu u shpreh ndihmës sekretarja e përgjithshme e NATO-s Grabar Kitaroviq, e cila tha se në momentin kur Maqedonia do të mbyll këtë kontest me fqinjin jugor, do të anëtarësohet në NATO. Këto komente ajo i bëri pas takimit me ministrin e mbrojtjes Talat Xhaferi, i cili vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Maqedoninë.

"Ftesa mbetet e hapur. Menjëherë kur të mbyllen çështjet mes dy shteteve fqinje, kur të zgjidhet kontesti i emrit. NATO nuk është e kyçur në atë kontest, ai është ekskluzivisht çështje bilaterale politike që duhet të zgjidhet. NATO nuk përzihet në politikën e brendshme të shteteve anëtare, dhe nuk do të komentojmë politikën e brendshme. Në këtë rast, ne do të përshëndesim zgjidhjen që do ta arrini me marrëveshje me shtetin fqinj", deklaroi Grabar Kitaroviq, ndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

"NATO nuk harron mbështetjen që në vazhdimësi i jep Republikës së Maqedonisë në përpjekjet e saja për të ruajtur të gjithë ato vlera që i ka arritur deri tani, që u vërtetuan edhe në Samitin e Bukureshtit si arritje të përmbyllura të Republikës së Maqedonisë, që edhe më tutje të punojë dhe të angazhohet për anëtarësim të plotëfuqishëm në NATO", tha Talat Xhaferri, Ministër i Mbrojtjes.

Kitaroviq takoi edhe zv/ministrin e punëve të jashtme Zoran Petrov, Shefen e delegacionit parlamentar të Maqedonisë në NATO Ermira Mehmeti Devaja dhe kryetarët e komisioneve parlamentare për politikë të jashtme dhe mbrojtje e siguri, Antonio Milloshovski dhe Vllatko Gjorçev. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange