Rama-Ivanovit: Respektoni të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni

2015-08-21 4

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëjetesë ishin temë kryesore e takimit mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov që u zhvillua në Tiranë. Kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu shqetësimin e tij për shqiptarët të cilët jetojnë në Maqedoni, duke kërkuar nga presidenti Ivanov që të respektohen dhe implementohen marrëveshjet lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës së shqiptarëve në Maqedoni.

"Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Nga ana tjetër zoti President më shprehu shqetësimin e tij, që të këtë më shumë vëmendje dhe më shumë hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh, jo thjesht si një detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve, atë që ne vetë nuk jemi gjendje ta plotësojmë për të tjerët", tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Presidenti Ivanov tha se me kryeministrin shqiptar Rama kanë pasur një bisedë konstruktive, ndërsa temë kryesore ka qenë integrimi evropian.

"Konkluzioni i bisedës tonë ishte se BE është instrumenti që mund të ndihmojë dhe të mbështesë të gjitha vendet tona. Është hera e parë që ne bashkohemi dhe kjo ndodh në emër të së ardhmes. Është pikërisht kjo e ardhme europiane që na detyron në plotësimin e standardeve europiane. Kështu duke qenë të përkushtuar me agjendën europiane ngushtojmë hapësirat për ata që na duan të keqen duke kryer veprime që s'janë në favor të qytetarëve tanë", deklaroi Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.

Kryeministri shqiptar Rama ka thënë se Shqipëria mbetet e interesuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve. Presidenti i Maqedonisë George Ivanov ishte personaliteti i parë i huaj që takoi kryeministrin e ri të Shqipërisë Edi Rama. Ivanov njoftoi se i ka bërë ftesë zyrtare kryeministrit shqiptar Edi Rama që të vizitojë Maqedoninë. Alsat-M