21 Janari, familjarët e viktimave: S'do e lëmë gjakun pa marrë

2015-08-21 2

TIRANË - Kanë reaguar menjëherë të shokuar dhe me dhimbje familjarë të viktimave të 21 Janarit pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit për 3 vjet burg ish-gardistit Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Hekuran Dedës dhe 1 vit burg kreut të Gardës, Ndrea Prendit, i akuzuar për vrasjen e Faruk Myrtajt.

Të telefonuar nga "A1 Report" janë prononcuar motra e Ziver Veizit dhe vëllai i Hekuran Dedës.

MOTRA E ZIVER VEIZIT: NUK DO TA LËMË GJAKUN PA MARRË
"Jemi të shokuar nuk e prisnim këtë vendim. Nuk do ta lëmë gjakun e vëllait tonë pa marrë. Po na lëndojnë shumë. Po na i vrasin përsëri njerëzit tanë", ka thënë me zërin që i dridhej në linjë telefonike për televizionin "A1 Report" motra e një prej viktimave të 21 Janarit, Trëndafile Muhameti.

Pyetjes së gazetarit, Edvin Parruca nëse kanë shpresë se mazhoranca e re dot rishohë vendimet, zonja Muhameti i është përgjigjur se ka besim te mazhoranca, e cila u ka premtuar drejtësi.

"Nga mazhoranca jonë na është premtuar se e drejta e vëllait tonë do vëjë në vend. Kjo qeveri e re nuk do shkelë mbi atë gjak. Kemi besim të madh te kjo qeveri", tha motra e të vrarit, Ziver Veizi.