USHT dhe UEJL, filloi viti i ri akademik

2015-08-21 1

Edhe në Tetovë, në dy kampuset universitare USHT dhe UEJL nisi sot viti akademik. USHT-ja numëron 34 programe studimore dhe mbi 100 drejtime. Ndërsa UEJL-ja, mbi 60 drejtime. Në ceremonitë e nisjes së vitit akademik në USHT, sot ishte edhe zv/ministri i Arsimit Safet Neziri.

"Ministria e Arsimit, në koordinim të plotë me udhëheqësin e USHT-së synon realizimin e objektivave tona në më shumë projekte, si ofrimi i literaturës shkencore për fakultete të ndryshme, specializimin e kuadrit akademik dhe motivimin e tij për të ndjekur fushën e kërkimeve dhe zbulimeve shkencore, si dhe përfundimin e projekteve infrastrukturore", deklaroi Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit .

"Dita e sotme për USHT-në, është një ditë e veçantë sepse ne sot hapim dyert tona si në qendrën e universitetit në Tetovë, po ashtu edhe në vendet e tjera si në, Kumanovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe në qytetin e Strugës. Me këtë rast, në emër të USHT-së dhe stafit akademik, të gjithë studentëve tanë iu uroj mirëseardhje dhe një fillim të mbarë e të suksesshëm në vitin akademik 2013/14", tha Vullnet Ameti, rektor i USHT-së.

Edhe në Universitetin e Europës Juglindore, institucion me një numër akoma më të madh studentësh të rinj, rektori Zamir Dika iu uroi profesorëve dhe të rinjve, nisjen e këtij viti akademik.

"Sot është një ditë e veçantë, është dita e parë e takimit të profesorëve me studentët e rinj, pra është një ditë kur kulminojnë emocionet e një profesori, por edhe një studenti që vjen nga shkolla e mesme me pritje të madhe nga një institucion ku ai synon që t'i ndryshojë jetën", u shpreh Zamir Dika, rektor i UEJL-së.

Nisja e vitit akademik është mirëpritur nga të rinjtë të cilët sot janë njohur me ambientet e studimit.

"Ishte kënaqësi për mua që të marrë pjesë në hapjen solemne si dhe ishte kënaqësi që të jem një ndër studentët e parë që m'u përmend emri për ta marrë indeksin".

"Është një emocion mjaft i madh; është dita e parë që unë filloj këtë vit akademik".

Viti i ri akademik 2013/2014 ka mirëpritur në dy universitetet e Tetovës, rreth 10 mijë të rinj. Bashkim Sulejmani