Nis sot viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar për vitin 2013-2014. Rreth 630 mijë nxënës nisin vitin e ri shkollor, dhe rreth 40 mijë prej tyre ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
Ndryshe nga vitet e tjera, moti sot është me shi duke detyruar drejtoritë e shkollave që ceremonitë e parashikuara me këtë rast t'i zhvillojnë në ambientet e brendshme të shkollave.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, vizituan sot në mëngjes Liceun Artistik nga ku përcollën urimin për një vit të mbarë shkollor, por dhe nënvizuan politikat e reja të këtyre ministrive për programe më të mira për arsimin, garantimin e statusit të mësuesit si dhe për programe që kanë për qëllim edukimin artistiko-kulturor përmes mësimit.