VMRO akuzon Zaevin për korrupsion, LSDM me kundërakuza

2015-08-21 0

Partia e kryeministrit Gruevski VMRO DPMNE-ja akuzoi sot liderin e opozitës dhe kreun e Komunës së Strumicës Zoran Zaev për nepotizëm dhe korrupsion. Sipas VMRO DMPNE-së, Zoran Zaev është i përfshirë në një sistem të organizimit familjar dhe nepotizmit gjatë ndarjes së tenderëve për furnizime publike. Në partinë e kryeministrit Gruevski përmendën një prej rasteve ku kompania e udhëhequr nga babai dhe xhaxhai i Zaevit paraqitet si fituese e tenderit për furnizim të Institucionit publik komunal "Detska Radost" në Strumicë. Sipas dokumenteve që shpalosi VMRO DPMNE, për këtë furnizim publik kompania Zovi Promet ka marrë 3 milion e 600 mijë denarë, ose rreth 60 mijë euro.

"Kompania ZOVI PROMET nga Strumica, pronarë të së cilës janë Panço Zaev, veni re, ky njeri është babai i Zoran Zaevit, dhe Lupço Zaev, xhaxhai i Zoran Zaevit, paraqiten si pjesëmarrës në shpalljen nga Institucioni Publik Komunal "Detska Radost", e cila është nën kompetencë të Komunës së Strumicës, për furnizim me prodhime ushqimore dhe mjete për mbajtjen e higjienës. Dhe sigurisht, kompania e udhëhequr nga babai dhe xhaxhai i Zoran Zaevit e fitojnë këtë furnizim publik. Kjo është ndeshje klasike interesash", tha Spiro Ristovski, VMRO DPMNE.

LSDM-ja në përgjigjen e saj për këto akuza i ka bërë thirrje Spiro Ristovskit që më tepër të merret me problemet në arsim, se sa me liderin e LSDM-së.

"Në vend se të plasojë marrëzira për Zoran Zaevin dhe të defokusojë opinionin nga problemet reale jetësore të qytetarëve, Ministri i Arsimit Spiro Ristovski duhet të merret me obligimet e tij dhe të shpjegojë pse në Maqedoni arsimimi është falas vetëm në reklamat e paguara shtrenjtë. Në realitet, nuk ka arsim falas. Prindërit e nxënësve kanë shpenzime të mëdha plotësuese", deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Për sa i përket akuzës së VMRO DPMNE-së për korrupsion dhe nepotizëm, nga LSDM thonë se po të kishte parregullsi, institucionet e udhëhequra nga VMRO DPMNE-ja menjëherë do të fillonin procedurë. Benjamin Arifi