Besimi: Marrëveshja, në të mirën e të dy vendeve

2015-08-21 0

Dhënia fund e ngërçit tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës i shkon për shtati ekonomive të të dyjave vendeve por edhe qytetarëve. Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi duke komentuar vendimin e Shkupit Zyrtar për heqjen e masës për importin e kushtëzuar të miellit nga vendet fqinje tha se me këtë hap jo vetëm që do të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve, por do t'u hapet rruga bashkëpunimeve të reja në të gjitha sferat. Sipas Besimit përmes komunikimit më të mirë, problemet e tilla mund të shmangen në të ardhmen.

"Kjo reflekton vullnetin tonë për bashkëpunim të mirë, fqinjësi të mirë që është një nga aspektet e integrimeve euro-atlantike. Maqedonia dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësim në BE, të krijojnë marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore. Prandaj hapat e tilla dhe vendimi që u miratua nga qeveria është konzistent me politikën tonë të euro-integrimeve, bashkëpunimit bilateral me Kosovën, bashkëpunimit rajonal. Kjo gjithashtu do të kontribuojë në përmirësimin e tregtisë, kapërcimin e kësaj situate, gjë që është në të mirë të qytetarëve të Maqedonisë dhe Kosovës", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Për zv/kryeministrin Besimi, kriza e krijuar në 7 ditët e fundit nuk reflekton bashkëpunimin e deritanishëm mes Shkupit dhe Prishtinës, pasi siç theksoi ai, që nga njohja e Pavarësisë së Kosovës, dy vendet kanë firmosur 25 marrëveshje bilaterale. Besimi tha se nuk pret bojkot të produkteve të vendit në Kosovë për shkak të situatës së krijuar megjithatë vlerëson se nëse kriza do të vazhdonte edhe më tej pasojat për tregtinë e vendit do të ishin të pashmangshme.

"Nëse situata e tillë do të zgjaste për një kohë më të gjatë atëherë do të priteshin implikime të caktuara rreth produkteve tona, jo vetëm në aspekt të bojkotit por edhe në aspekt të zhvillimit normal të procesit tregtar. Tregtarët duan të gjejnë burime të reja për furnizimin e tregut. Nëse kjo do të zgjaste më shumë atëherë tregtarët do të gjenin kanale të tjera qoftë nga shtetet e tjera fqinje. Prandaj është mirë që ne e kapërcejmë këtë situatë dhe shkojmë drejt normalizimit", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Zv/kryeministri Fatmir Besimi pranoi se ministrat e VMRO-së dhe BDI-së kanë pasur dallime për çështje të caktuara megjithatë vendimi i mbrëmshëm paraqet qëndrimin e përbashkët të qeverisë. Besimi u bëri apel transportuesve që kanë bllokuar kalimet kufitare me Kosovën të tërhiqen me qëllim që nga mesnata të fillojë qarkullimi normal i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve mes të dyja vendeve. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange