Mbledhja qeveritare Kosovë-Shqipëri do të mbahet në Prizren

2015-08-21 3

Me nderimet më të larta shtetërore, Kosova ka pritur kryeministrin e ri të Shqipërisë në vizitën e tij të parë zyrtare që nga marrja e detyrës. Në takimin mes kryeministrave të dy shteteve, Edi Rama dhe Hashim Thaçi janë marrë vesh për mbledhje të përbashkët të dy qeverive në periudhën e ardhshme. Ata kanë biseduar për çështjet e përbashkëta mes dy shteteve, por edhe pozitën e shqiptarëve në rajon.
"Unë nuk besoj as tek politika e kundërvënieve në këtë aspekt dhe as tek peri i lëshuar shumë, sepse me sa unë jam në gjendje ta shoh unë sot rajonin, e vërteta është krejt ndryshe. Sot për shqiptarët është momenti më i mirë i historisë së tyre dhe jetës së tyre në këtë rajon", deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

"Ne përpiqemi që shqiptarët më në fund të rehatohen në qiellin europian, siç ka thënë edhe zoti Rama dhe besoj se kjo edhe do të ndodh por kurrë shqiptarët në historinë e tyre në pozicion më të mirë nuk kanë qenë. Pozicion aktiv dhe pozitiv, dhe jo diskriminues e pasiv. Kemi mbështetjen e të gjithë botës demokratike dhe perspektivën tonë afirmuese, edhe kombëtare edhe demokratike", tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se pret vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për të gjitha çështjet, përfshi këtu edhe njohjet e reja. Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për pozitën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Ai përgëzoi politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës për dialogun e nisur me Beogradin, duke ftuar edhe ata të Maqedonisë që të punojnë më shumë për të drejtat e tyre.

"Është edhe e vërtetë se Kosova u tregua shumë afirmative dhe 3% e serbëve në Kosovë gëzojnë më tepër të drejta se 35% e shqiptarëve në Maqedoni. Por kjo është çështje që vetë lidershipi shqiptarë në Maqedoni duhet ti merr vendimet që u takojnë për të ardhmen integruese të tyre atje dhe për pozitën e tyre", u shpreh Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës
Edi Rama ka mbajtur edhe një fjalim në Kuvendin e Kosovës ku u shpreh se kufirin nuk e sheh si një vijë mes dy shteteve. "Kufiri ishte i djeshëm, e ardhmja s'ka kufi. Nuk jam këtu për vazhdimin e retorikes së shtetit amë me shtetin bijë, por për një aleancë strategjike mes të barabartësh. Energji të reja krijuese pavarësisht nga vijat kufitare"- theksoi Rama. Kryeministri shqiptar ka takuar edhe presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Benjamin Arifi