Protestuesit e kompanisë Makamtrans kanë vendosur që pjesërisht të lirojnë lëvizjen me vetura në kufi. Përfaqësuesja e kësaj kompanie Biljana Muratovska tha se për shkak të fillimit të dialogut mes dy qeverive për të tejkaluar krizën, do të lirojnë rrugën drejt vendkalimit kufitar çdo dy orë nga 30 minuta.
"Sot, me qëllim që të tregojmë se duam të lëshojmë pe pak, pasi dëgjova se edhe politikanët kanë vendosur të takohen, vendosëm që sot çdo dy orë nga 30 minuta të lejojmë të lëvizin me vetura", tha Biljana Muratovska, Makamtrans.
Lirimi i rrugës ka filluar nga ora 10 duke vazhduar të lirohet kështu çdo dy orë. Qytetarët të cilët kalojnë kufirin shprehen të revoltuar dhe kërkojnë heqjen e taksës për udhëtarët dhe automjetet.
"Ja a e sheh, me u mundu me ecë në këtë nxehtë. Çka jemi ne fajtorë?! Populli nuk është fajtor. Le ti rregullojnë ata punët e tyre mes vete, dhe ne shkojmë si njerëz, e jo tash prej atje e këtu me ecë".
"Popullata dhe Qeveria e Maqedonisë humbin më së shumti. Të dy palët humbin por ata humbin më së shumti sepse ata kanë pasur biznesin më të madh me Kosovën, e cila ka qenë importuesja më e madhe në rajon nga Maqedoni. Presim të paktën të heqin këtë tarifën që na kanë bërë të paguajmë, 5 euro për makinë dhe 2 euro për person. Presim së paku këtë ta heqin, sepse kjo është kufizim i lëvizjes së lirë të qytetarit prej njërit shtet në tjetrin".
"Definitivisht duhet të merren vesh dhe të lëshohet kufiri për të qarkulluar sidomos njerëzit. Të ketë qarkullim të lirë, sepse siç e shihni kemi punë".
"Maqedonia këtu është humbës. Zaten këto kanë filluar ashtu kështu edhe me bullgarët, edhe me serbët, edhe me grekët. Tani preken edhe këtu"
Transportuesit e shoqatës 'Makamtrans' thonë se nuk do të largojnë bllokadat nga kalimi kufitar, derisa Kosova nuk heq embargon për mallrat e Maqedonisë. Deri atëherë, qytetarët të cilët hyjnë në Maqedoni duhet të presin në 'vullnetin e mirë' të kësaj shoqate që në çdo dy orë të largojë kamionët nga rruga. Benjamin Arifi