Bruksel, arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

2015-08-21 2

Kosova dhe Serbia arritën mbrëmë marrëveshje në Bruksel për telekomunikacionin dhe energjinë. Sipas marrëveshjes nga janari i vitit 2015 Kosova do të ketë kodin telefonik +383.

Thaçi dhe Daçiç mbrëmë kanë diskutuat edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit që do të mbahen në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të dyja vendet.

"Ajo që diskutuam edhe më herët është se sonte ne diskutuam përsëri për telekomunikacionin dhe energjinë. Ajo që është me rëndësi është se sonte kemi arritur marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë ndërsa kemi diskutuar edhe për rëndësinë e zgjedhjeve të 3 nëntorit, për mundësinë që të dalin njerëzit sa më shumë në zgjedhje dhe të kemi zgjedhje fer, të lira dhe demokratike', tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

"U arrit marrëveshja, e cila në këtë moment mundëson funksionimin e këtyre sistemeve pa ndonjë ndryshim në terren. Për qytetarët nuk do të ketë ndonjë ndryshim, kur është fjala për sistemin e energjisë elektrike dhe telekomunikacionit. Çështja e pronës këtu, si dhe në fusha të tjera, do të jetë objekt i bisedimeve të ardhshme, të cilat do të vazhdojnë pas zgjedhjeve lokale", deklaroi Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.

Me kërkesë të Beogradit zyrtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka hequr nga fletëvotimet shenjat e shtetësisë, duke lënë në to vetëm logon e KQZ-së. Ky ka qenë kushti i zyrtarëve në Serbi për t'iu bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet që organizon Prishtina. Marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit e ka përshëndetur edhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së Ketrin Eshton.

"Jam shumë e lumtur që mbrëmë e kemi pasur raundin e 16-të të diskutimeve që prej arritjes së marrëveshjes së prillit. Kryeministrat me ekipet e tyre kanë qenë në gjendje që të finalizojnë marrëveshje të rëndësishme, për telekom dhe energji. I falënderoj për punën e madhe që e kanë bërë ata dhe kolegët e tyre', u shpreh Ketrin Eshton, përfaqësuese e lartë e BE-së.

Bisedimeve trepalëshe u ka paraprirë takimi i Ketrin Ashton me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, dhe një takim i ngjashëm i baroneshës me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin e tij. Në ekipin serb ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Alsat M