Shumë parregullsi dhe dilema për mënyrën e pagesës së taksës rrugore për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Maqedoni. Profesori në Universitetin e Prishtinës Rexhep Hasani, i cili për çdo ditë udhëton në relacionin Shkup-Prishtinë dhe anasjelltas thotë se përmbajtja e vendimit të Qeverisë ka shumë lëshime. Edhe pse është shtetas i Maqedonisë, dje autoritetet në kalimin kufitar i kanë kërkuar që të paguajë taksën prej 2 euro për person dhe 5 për veturë, pasi të njëjtën e ka m,e targa të Kosovës.
"Unë i tregova pasaportat e Maqedonisë dhe kontestova faktin se duhet të paguaj nga 2 euro për individë dhe 5 euro për veturë, por mandej kur kontestova këtë fakt më thanë mirë për individë mos paguani, por për veturën duhet të paguani, atëherë unë insistova që të lexojë vendimi origjinal, ata më treguan mua udhëzimin që lidhet me atë vendim, por unë u thash dua vendimin të vulosur dhe të nënshkruar nga organi përkatës, kur më treguan vendimin origjinal, se përkthimi kujtojë se kishte lëshime, pashë se aty vërtetë në mënyrë taksative ishte e theksuar që qytetarët e Republikës së Kosovës obligohen të paguajnë 2 euro për individë dhe 5 euro për veturë dhe jo edhe rastet tjera", deklaroi Rexhep Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës.
Sipas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë, masa për taksë rrugore vlen për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë në Maqedoni. Çdo person duhet të paguajë nga 2 euro, nëse është me pasaportë të Kosovës, ndërsa për veturë 5 euro, autobusë dhe kamion nga 10 euro. Sipas këtij vendimi edhe shtetasit e Maqedonisë që posedojnë veturë me targa të Kosovës duhet të paguajnë 5 euro taksën për veturën. Valmir Kuçi