Kosova bllokoi të gjitha mallrat e Maqedonisë, numri i kosovarëve në Maqedoni në rënie

2015-08-21 1

Nga mesnata ka hyrë në fuqi vendimi i Kosovë për të bllokuar të gjitha mallrat e Maqedonisë. Një hap i tillë e Qeverisë kosovare vjen si kundërpërgjigje ndaj taksave që vendosi Maqedonia për banorët e Kosovës. Pas këtij vendimi të Kosovës, që ka hyrë në fuqi pas mesnate, ka bërë që në kalimin kufitar në Bllacë të grumbullohen kamionët transportues, në pritje të ftohjes së luftës tregtare mes dy shteteve.

"Që nga mesnata të gjithë kamionat me mallra nga Maqedonia janë ndaluar në doganë, pas hyrjes në fuqi të ndalesës kosovare për të gjitha produktet nga Maqedonia. Nga ana tjetër vazhdon revolta e kosovarëve në kufi për taksën të cilën duhet ta paguajnë për të hyrë në Maqedoni"

"Çka me thanë o vlla, a e sheh se çka kanë bërë, palidhje. Shumë na pengon, çka të them tjetër. Kjo është marre, po kush na pyet", tha një qytetar i Kosovës.

"Kjo është plaçkë për kosovarët. Bash plaçkë. Ma mirë mi marrë ka 2 euro e gjysmë se sa të humbin milionat për embargon që ka vënë Kosova", deklaroi qytetar i Kosovës.

"Kjo është katastrofë. Kojshi me na bë kështu, katastrofë. Sigurisht se zvogëlohet numri, sepse së pari unë më nuk vi. Sot kam ardhur, më nuk vi. Pres qe një orë këtu në rrugë", u shpreh një qytetar.

"Unë sot i kam 2 euro nesër si kam me pagu dhe nuk paguaj. Duhet të rri në shtëpi, të mos shoh asnjë familjarë timin andej", tha një tjetër qytetar i Kosovës.

Shkaku i taksave të vendosura është ulur edhe fluksi i kosovarëve që kanë vizituar Maqedoninë këtë fundjavë. Pas vendimit të Maqedonisë për të vendosur taksë për shtetasit e Kosovës, vetëm në dy ditët e fundit në dy kalimet kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës, Bllacë dhe Jazhincë, në Maqedoni kanë hyrë gjithsej 6049 shtetas të Kosovës. Nëse bëhet një përllogaritje e këtij numri atëherë i bie që vetëm nga taksa prej 2 euro për person, buxheti i Maqedonisë është mbushur me rreth 12.100 euro nga shtetasit e Kosovës. Nga Ministria e Brendshme nuk japin të dhëna sa i përket numrit të automjeteve që kanë hyrë në Maqedoni dy ditët e fundit. Sipas të dhënave të MPB-së numri i shtetasve të Kosovës që kanë hyrë në Maqedoni këtë fundjavë është më i vogël se numri i vikendit të kaluar, kur nuk kishte vendim për taksë. Javën e kaluar në Maqedoni për dy ditë kanë hyrë 8011 kosovarë në dy vendkalimet kufitare. Benjamin Arifi