Ndërtimet pa leje, prokuroria vë nën hetim drejtuesit vendorë

2015-08-21 0

TIRANË - Mos denoncimi i ndërtimeve pa leje nga ana e strukturave të pushtetit vendor, ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të nisë hetimin ndaj tyre.

Burime nga ky institucion kanë bërë me dije se, nga 200 ndërtime pa leje që janë denoncuar në prokuroritë e rretheve vetëm 10 për qind e tyre, ose e thënë ndryshe 20 ndërtime pa leje janë denoncuar nga ana e drejtuesve vendorë apo e punonjësve të urbanistikës.

Duke qenë se ndërtimi pa leje është një vepër penale, kryeprokurori Adriatik Llalla, gjatë ditës së sotme do të shpëndajë një qarkore me 4 pika, për të gjithë vartësit e tij në Tiranë dhe rrethe që të vënë nën hetim drejtuesit e pushtetit vendor që nuk kanë denoncuar këtë fenomen.

"Të analizojnë me përparësi edhe procedimet penale që kanë regjistruar për veprtën penale të "ndërtimit të paligjshëm", të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, si dhe fazën në të cilën ndodhen aktualisht këto procedime", - mësohet se shkruhet në qarkoren që do të shpërndahet gjatë ditës së sotme.

Gazetari i A1 Report, Arsen Rusta raporton nga Prokuroria e Përgjithshme se, në pikën e dytë të qarkores, kryeprokurori Lalla, kërkon që, "krahas veprave penale kërkon që prokurorët të mos dalin nga fokusi i tyre i punës, por në rastin e denoncimeve për ndërtimet pa leje".

Llalla thekson edhe faktin se, prokurorët nga sot e ditët në vazhdim kanë dorë të lirë për të gjithë personat që nisin të ndërtojnë pa leje edhe për personat që abuzojnë me territorin.

Zonat më problematike të këtyre ndërtimeve pa leje, janë bregdeti i Vlorës, Sarandës, Durrësit, Shkodrës, etj. Këtu do të përqendrohet më së shumti edhe puna e prokurorisë.

Pikërisht për këtë arsye është kërkuar edhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, për të bërë hetime të plota ndaj drejtuesve të enteve urbanistike që nuk kanë denoncuar fenomenet të tilla.

Free Traffic Exchange