TIRANE - Një ditë tepër e rëndësishme kjo e sotmja për Shqipërinë. Pak orë nga hapja e Parlamentit (ora 18:00) të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ambasadori i BE-së shkon në selinë PS për t'i komunikuar kryeministrit të ri axhendën e takimeve në Bruksel.
Kreu i PS-së Rama deklaron se procesi i integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të zërë një vend të veçantë në qeverinë e re dhe se do të shkojë në Bruksel pikërisht për të shprehur angazhimin drejt këtij rrugëtimi.
Ambasadori i BE-së e quan një vizitë tejet të rëndësishme që kryeministri i ri Rama do të bëjë me të marrë postin e kryeministrit, e cila do të ndodhë shumë shpejt. Rama e vlerëson si " moment shumë të rëndësishëm për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh por për ta kapur një orë e më parë të hyjmë në BE. "
Ambasadori i BE-së shprehu besimin se integrimi do të jetë prioritet i punës së qeverisë së por dhe një prioritet kombëtar "sepse i shërben interesave të popullit shqiptar i cili meriton ato të mira që rrjedhin nga integrimi i BE".
Kryeministri në ikje Berisha pritet të japë dorëheqjen, për t'ia lënë vendin qeverisjes së të majtëve. Pritet që Zoti Berisha t'i drejtohet Presidencës për t'i dorëzuar Presidentit Nishani dorëheqjen pas 8 viteve qeverisje.
Në orën 18:00 hapen zyrtarisht punimet e Legjislaturës së VIII-të parlamentare. Sesioni i ri parlamentar nis me një maxhorancë të fortë së të majtës, plot 83 deputetë përballë formacionit të djathtë e cila ka 57 deputetë. Në selitë e PD-së e LSI-së do të zgjidhet kryetari i grupit Parlamentar.
Para fillimit të seancës lëvizje intensive në të dyja kampet politike.