Pronarët e shtëpive që preken nga zbatimi i projektit të Bulevardit të ri kanë protestuar sot kundër vendimit për shpronësimin e banesave që preken nga zbatimi i këtij projekti.
Banorët thonë se shtëpitë e tyre të cilat do të prishen, janë vlerësuar me çmime qesharake dhe jo me vlerën reale të tregut.
Sipas vendimit të firmosur dje nga qeveria Berisha për prishjen e 204 objekteve pronarët do të kompensohen me rreth 12.5 milionë eurosh.
"Nuk do të lejojmë që qeveria e bashkia të tallet me ne. Ato kanë bërë vlerësimin me komision të posaçëm dhe direkt i kemi takuar. 15 ditë para fushatës elektorale (2011) kemi takuar Lulzim Bashën dhe na premtoi se do ju dëmshpërblejmë me vlerën reale të tregut por kjo nuk pasqyrohet tek vendimi që firmosi dje Sali Berisha.
Është vlerësuar 263 mijë lekë të vjetra, metri katror. Kjo nuk është vlera reale. Vlera reale është 1200 euro."- thotë në një prononcim për Tv A1 Report, Spiro Demiraj, një nga pronarët e banesave që do të shemben.