Rilindja Demokratike Kombëtare ka akuzuar sot kreun e komunës së Gostivarit Nevzat Bejta se në shenjë revanshizmi politik, ka larguar nga puna afër 90 profesorë të shkollave të mesme dhe fillore, në mesin e të cilëve, sipas RDK-së ka edhe të atillë që janë me mbi pesë vite përvojë pune. Nga RDK-ja thonë se përkundër pranimit të ankesave nga shkalla e dytë e gjykatës që disa drejtor të larguar nga posti të kthehen në punë, krerët komunal nuk i kanë përfillë aspak këto vendime. Nga RDK-ja kanë theksuar se rastin e largimit të profesorëve nga puna, do e paraqesin edhe në Ministrinë e Arsimit.
"Ky pushtet komunal antidemokratik përjashtoi pa asnjë argument mbi 90 profesor nga shkollat fillore dhe të mesëm të komunës së Gostivarit. Sipas shkollave numri i te larguarve nga punë është si vijon: Shkolla e mesme ekonomike 16 profesor, shkolla e mesme teknike 6 profesor, shkolla e medicinës 5 profesor, shkolla fillore "Përparimi" në Çegran dhe Forinë 18 profesor , shkolla fillore "Ismail Qemali" 8 profesor, shkolla fillore në Çajlë 7 profesor, shkolla fillore "Bashkimi" 5 profesor, shkolla fillore "Goce Dellçev" janë larguar 5 profesor, nga shkollat periferike dhe nga NPK janë larguar 10 profesionista me fakultete të cilët janë zëvendësuar me njerëz jo adekuat", deklaroi Naxhi Xhelili, deputet i RDK-së.
Por, akuzat e tilla janë hedhur poshtë nga kryetari i komunës, Nevzat Bejta.
"Ne nuk kemi larguar asnjë nga puna. Por, ata kanë qenë politikisht të angazhuar me kontrata dhe kanë bërë politikë për ta mbajtur gjallë partinë politike. Ne nuk bëjmë politikë, ne punësojmë sipas nevojë që kemi dhe aty ku janë vendet e zbrazura dhe aty ku u kanë përfunduar kontratat. Ne punësojmë njerëz profesionalisht, në profesionin që kërkohet", tha Nevzat Bejta, Kryetar i Komunës së Gostivarit.
Ndërsa sa i përket pohimeve të RDK-së, për largime nga puna në ndërmarrjen komunale, Bejta tha se bëhet fjalë për persona të cilët kanë qenë në listën e pagave, apo që kanë marrë paga por që asnjëherë nuk janë angazhuar në punë. Bashkim Sulejmani