Inspektorati i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve ka urdhëruar me shkresë që të largohen të gjitha tabelat informative që janë në tre gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht të cilat tregojnë vendndodhjen e Liqenit të Treskës, Kanjonin e Matkës, Kodrën e Diellit, Qytetin e Ohrit dhe Parkun Kombëtar të Mavrovës, të cilat janë të vendosura përgjatë autostradës Tetovë- Shkup.
Drejtori i Ndërmarrjes 'Makedonija Pat', përgjegjëse për tabelat, Gajur Kadriu thotë se me vendosjen e këtyre tabelave në tre gjuhë nuk ka bërë asgjë kundër ligjore. Kadriu ishte kategorik se nuk do ti largojë tabelat, pasi të ngjashme ka në tërë territorin e vendit.
Çdo shenjë që vendosë ndërmarrja publike 'Makedonija Pat' dhe ndërmarrja publike për rrugët shtetërore është konform ligjit. Duhet të gjitha shenjat që janë vendosur në Veles, Tetovë, Gostivar e Prilep duhet të kenë trajtim të njëjtë. Vulat e inspektorëve nuk janë aq të fuqishme pasi pas vitit 2001 ka ndryshuar çdo gjë. Nuk është më viti 1983, tani jemi në vitin 2013, ka ligje pozitive për përdorimin e gjuhës dhe ne duhet të dimë se 'Makedonija Pat' nuk do të ndërmarr asnjë aktivitet parcial, në këtë rast të tërheqjes vetëm të tabelave që janë në tre gjuhë", deklaroi Gajur Kadriu, drejtor i Ndërmarrjes 'Makedonija Pat'.
Në mbështetje të Kadriut doli sot edhe zv/ ministri i transportit Xhelal Bajrmi. Ai tha për ALSAT M se tabelat informative nuk do të largohen. Ai tha se nëse 'Makedonija Pat' ka shkelur ndonjë procedurë ligjore për vendosjen e këtyre tabelave informative, të njëjtat do të tejkalohen.
"Nëse është qëllimi që dikujt i pengon përdorimi i gjuhës shqipe në ato tabela, plotësisht e kanë gabim dhe ato tabela nuk do të largohen për atë se në të njëjtat shkruhet edhe në shqip. Nëse nuk është respektuar procedura, do të shikojmë mundësitë që të respektojmë procedurat, gjegjësisht ne do të marrim si obligim që ndërmarrja publike Rrugët e Maqedonisë' të ankimon këtë vendim të inspektoratit me qëllimi që të mos largohen dhe ne gjithsesi do të bëjmë të pamundurën që këto tabela mos të largohen", tha Xhelal Bajrami, zv/Ministër i Transporit dhe Lidhjeve.
Inspektorati shtetëror për transport i ka shpallur të paligjshme tabelat në fjalë, që u vendosën nga ndërmarrja publike "Makedonija Pat" në autostradën Shkup - Tetovë. Me këtë vendim Inspektorati obligon 'Ndërmarrjen Publike për Rrugë shtetërore' që ti largojë tabelat e reja informative. Sipas këtij vendimi, tabelat duhet të largohen në afat prej pesë ditësh. Valmir Kuçi